Ushtria izraelite ka shpërndarë video dhe fotografi të hënën duke pretenduar se në bodrumin e spitalit për fëmijë në Gaza janë gjetur armë dhe shenja të pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi.
Zëdhënësi ushtarak, Daniel Hagari ka theksuar se gjithashtu në spital është gjetur një qendër komandimi me armatim, duke përfshirë granata, jelekë vetëvrasës dhe eksplozivë të tjerë të ruajtur nga luftëtarët e Hamasit në bodrumin e Spitalit Rantissi, spital pediatrik.
“Dhe ne gjetëm gjithashtu shenja që tregojnë se Hamasi i mbante pengjet aty”, ka thënë ai në një konferencë televizive. “Kjo është aktualisht nën hetimin tonë. Por ne gjithashtu kemi inteligjencë që e verifikon atë”.
Ai tregoi pamjet e atyre që dukej të ishin ambiente banimi rudimentare, duke përfshirë një kuzhinë të vogël, si dhe një bosht tuneli aty pranë që ai tha se çonte në shtëpinë e një komandanti të lartë detar të Hamasit.
“Hamasi mori të gjithë këtë zonë nën kontrollin e tij dhe e kreu luftën e tij kundër izraelitëve nga ky spital”, ka shtuar ai.
Edhe
Izraeli publikon pamje të tunelit ku pretendohet se Hamasi mbante pengje
Përveç kësaj, trupat gjetën një motoçikletë me shenja të plumbave, të cilat ai tha se dukej se ishte përdorur për të sjellë pengje në Gaza pas sulmit të papritur më 7 tetor, kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke kapur rreth 240 pengje, sipas autoriteteve izraelite.
Si hakmarrje, Izraeli ka nisur një bombardim intensiv të Rripit të Gazës dhe pasoi me një operacion tokësor që ka parë trupat të shtyhen thellë në enklavë. Më shumë se 11 mijë njerëz janë vrarë në Gaza, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë.