Ushtarët e Koresë së Veriut në rajonin e Kurskut janë urdhëruar të vrasin veten në mënyrë që të shmangin kapjen nga trupat ukrainase, ka raportuar KyivPost duke cituar Shërbimin Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut.
“Koreja e Veriut u ka kërkuar ushtarëve të saj që të vrasin veten për të mos u kapur të gjallë nga ushtria ukrainase”, citohet raporti i Shërbimit Informativ jugkorean.
Sipas raporteve të inteligjencës, deri në fillim të janarit rreth 300 ushtarë të Koresë së Veriut ishin vrarë në luftime në Kursk dhe mbi 2.700 të tjerë janë plagosur. Ushtarët verikoreanë janë aktivizuar pas një marrëveshjeje të fshehtë mes autoriteteve ruse dhe verikoreane.
Trupat e Koresë së Veriut janë angazhuar me dronë dhe elementë të tjerë të luftës moderne. Në tetor të 2024-s janë dislokuar trupat e para në zonën ukrainase. Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës ka thënë se i ka kapur robër dy ushtarë verikoreanë. Njëri ishte pjesë e Grupit të 84-të Taktik të Forcave të Operacioneve Speciale e tjetri nga parashutistët ukrainas.
Në momentin e kapjes, njëri prej tyre mbante një dokument ushtarak të lëshuar nga Rusia. Gjatë marrjes në pyetje ai ka thënë se dokumentin ia ka lëshuar Rusia në vjeshtën e 2024-s. Ai gjithashtu kishte theksuar se ka qenë pjesë e stërvitjeve ushtarake me forcat ruse për një javë.
-
Seuli thotë se rreth 300 ushtarë verikoreanë janë vrarë në luftime me forcat ukrainase
-
Koreja e Veriut konfirmon dërgimin e trupave të saj në luftën në Ukrainë
-
Rusia tërhoqi trupat verikoreane nga Kursku, sipas Seulit
-
Zelensky thotë se dy ushtarë veri-koreanë janë kapur në rajonin e Kurskut
-
Ukraina kap një ushtar të Koresë së Veriut