Oficerët ushtarakë amerikanë kanë vazhguar të hënën nga afër stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis Rusisë dhe Bjellorusisë.
Rusia dhe Bjellorusia filluan stërvitjen "Zapad-2025" në fushat e stërvitjes në të dy vendet të premten, në një kohë tensionesh të larta me NATO-n.
Veprimi vjen ditë pasi Polonia rrëzoi dronë rusë që kaluan në hapësirën e saj ajrore.
Pjesëmarrja e amerikanëve në një fushë stërvitjeje në Bjellorusi u paraqit nga ministria e Mbrojtjes e vendit si një surprizë.
"Kush do ta kishte menduar se si do të fillonte mëngjesi i një dite tjetër të stërvitjes Zapad-2025?", ka thënë ajo në një deklaratë duke vënë në dukje praninë e tyre midis përfaqësuesve nga 23 vende, përfshirë dy shtete të tjera anëtare të NATO-s - Turqia dhe Hungaria.
Edhe
Rusia dhe Bjellorusia nisin stërvitje ushtarake të përbashkëta, alarmohet Perëndimi
Ministria ka publikuar një video që tregon dy oficerë amerikanë me uniforma duke falënderuar ministrin bjellorus të Mbrojtjes, Viktor Gennadievich Khrenin për ftesën, dhe duke i shtrënguar dorën.
"Ne do t'ju tregojmë çfarëdo që është në interes për ju. Çfarëdo që dëshironi. Mund të shkoni atje dhe të shihni, të flisni me njerëz", u ka thënë ministri amerikanëve, të cilët nuk pranuan të flisnin me gazetarët, raporton Reuters.
Prania e oficerëve amerikanë është shenja e fundit e ngrohjes së marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Miskut, një aleat i ngushtë rus që i lejoi Moskës të përdorte territorin e saj për të dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
John Coale, një përfaqësues i Trumpit, ishte në Minsk javën e kaluar për bisedime me udhëheqësin bjellorus, Alexander Lukashenko, i cili pranoi të lironte 52 të burgosur nga burgjet e tij, përfshirë gazetarë dhe kundërshtarë politikë.
SHBA-ja i ka lehtësuar sanksionet ndaj kompanisë ajrore kombëtare bjelloruse Belavia.
Edhe
SHBA-ja dhe Ukraina po shqyrtojnë një propozim për Rusinë
Trumpi po ashtu dëshiron të rihapë ambasadën amerikane në Bjellorusi në të ardhmen e afërt, të normalizojë lidhjet dhe të ringjallë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, ka bërë të ditur Coale.
Trump, i cili është përpjekur të ndërmjetësojë një fund të luftës në Ukrainë, po kultivon lidhje më të ngushta me Lukashenkon, i cili zhvillon rregullisht bisedime me Putinin.