Botë

Urdhri i papritur i Hegsethit për ndalim të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Pete Hegseth me Donald Trump

Foto: Associated Press

Pauza disa-ditore e ndihmave ushtarake për Ukrainën, e konfirmuar nga pesë burime të afërta me këtë çështje, tregon për turbullim në mënyrën se si administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, krijon dhe zbaton politikat e saj të sigurisë kombëtare. Në Pentagon, çakordimi është tashmë sekret publik, teksa shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë kanë bërë të ditur se departamenti është “i helmuar” nga përçarjet e brendshme mbi politikën e jashtme, inatet e thella, dhe stafi me mungesë përvoje.

Washington, 12 maj (Reuters) – Pikërisht një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nisi mandatin e tij të dytë, ushtria e Shteteve të Bashkuara lëshoi urdhër ndaj tri kompanive ajrore të transportit të mallrave që operonin nga “Baza e Forcave Ajrore Dover” në Delaware dhe baza e SHBA-së në Katar, për të ndaluar 11 fluturime të ngarkuara me artileri dhe pajisje të tjera ushtarake që ishin planifikuar të shkonin drejt Ukrainës.

Gjatë orëve në vazhdim, pyetje të shumta arritën në Washington prej zyrtarëve në Ukrainë dhe në Poloni, ku edhe ishin koordinuar dërgesat. Kush e kishte urdhëruar Komandën e Transportit të SHBA-së, e njohur si TRANSCOM, për t’i ndaluar fluturimet? A ishte pezullim i përhershëm i të gjithë ndihmës? Apo thjesht i një pjese të saj?

Zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare – në Shtëpi të Bardhë, Pentagon dhe në Departamentin e Shtetit – nuk ofruan përgjigje. Brenda një jave, avionët u kthyen përsëri në ajër.

Urdhri verbal e kishte burimin nga zyra e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, bazuar në raportet e TRANSCOM-it të shqyrtuara nga Reuters. Një zëdhënës i Komandës së Transportit ka thënë se urdhri erdhi drejtpërdrejt nga Shtabi i Përbashkët i Pentagonit.

Sipas tre burimeve të afërta me situatën, anulimi i ndihmës ndodhi në kohën kur presidenti Trump i dha fund një takimi të mbajtur për Ukrainën më datë 30 janar në Zyrën Ovale, i cili përfshinte Hegsethin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të sigurisë kombëtare. 

Gjatë takimit, ideja e ndërprerjes së ndihmës për Ukrainën doli në sipërfaqe, kanë bërë të ditur dy burime të afërta me takimin, porse presidenti nuk lëshoi ndonjë instruksion për të ndalur ndihmën për Kievin zyrtar.

Presidenti Trump nuk ishte i vetëdijshëm për urdhrin e Hegsethit, njëherazi as zyrtarët e tjerë të lartë të sigurisë që ishin pjesëmarrës në takim, bazuar në dy burime të afërta me diskutimet private të zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë, si dhe një tjetër burim me njohuri të drejtpërdrejta mbi çështjen.
Të pyetur në lidhje me këtë raport, Shtëpia e Bardhë i ka thënë Reutersit se Hegsethi ka zbatuar direktivën e presidentit Trump për të pezulluar ndihmën ndaj Ukrainës, për të cilën ka shtuar se ishte qëndrimi i administratës në atë kohë. Sipas atyre që folën për Reuters, nuk u shpjegua se pse zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare në procesin e vendimmarrjes nuk ishin në dijeni për urdhrin, apo pse ai u tërhoq kaq shpejt.

“Negocimi i fundit të luftës Rusi-Ukrainë ka qenë situatë e ndërlikuar dhe fluide. Nuk do të ofrojmë detaje për çdo diskutim apo bisedë ndërmjet zyrtarëve të lartë të administratës përgjatë këtij procesi”, ka theksuar zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. 

“Në thelb, lufta është shumë më afër përfundimit sot sesa ishte kur presidenti Trump mori detyrën”, ka shtuar ajo.

Anulimet e fluturimeve i kushtuan TRANSCOM-it 2.2 milionë dollarë, sipas dokumenteve të rishikuara nga Reuters. Si përgjigje ndaj kërkesës për koment, TRANSCOM ka thënë se kostoja totale ishte 1.6 milionë dollarë – 11 fluturime u anuluan, por njëri prej tyre nuk pati asnjë tarifë.

Një urdhër që ndalonte ndihmën ushtarake të autorizuar nga administrata Biden hyri në fuqi zyrtarisht një muaj më vonë, më 4 mars, përmes njoftimit nga Shtëpia e Bardhë.

Zbulimi i mënyrës se si fluturimet u anuluan, i nisur nga Reuters për herën e parë, hedh dritë mbi procesin e paorganizuar të politikëbërjes brenda administratës Trump dhe strukturës komanduese që është e paqartë madje edhe për anëtarët e saj.

Pauza disaditore e fluturimeve, e konfirmuar nga pesë burime të afërta me këtë çështje, gjithashtu tregon për turbullim sa i përket mënyrës se si administrata krijon dhe zbaton politikat e sigurisë kombëtare. Në Pentagon, çakordimi është tashmë sekret publik, teksa shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë kanë bërë të ditur se departamenti është “i helmuar” nga përçarjet e brendshme mbi politikën e jashtme, inatet e thella, dhe stafi me mungesë përvoje.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk arriti të përcaktojë saktësisht se kur zyra e Hegsethit urdhëroi anulimin e fluturimeve të transportit. Dy burime kanë thënë se zyrtarët ukrainas dhe evropianë filluan të pyesnin për pauzën më 2 shkurt. Dokumentet e TRANSCOM-it tregojnë se kishte një urdhër verbal nga “SECDEF” – sekretari i Mbrojtjes – që ndaloi fluturimet dhe se ato nuk kishin rifilluar deri më 5 shkurt.

“Modeli i kësaj administrate është që të lëvizë shpejt, të thyejë gjërat dhe t’i lërë për më vonë. Kjo është filozofia e tyre menaxhuese”, ka thënë Mark Cancian, një oficer i pensionuar i Marinës dhe ekspert i mbrojtjes në “Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare”.
“Kjo mënyrë e menaxhimit është e shkëlqyeshme për ‘Silicon Valley’. Mirëpo kur flasim për institucione që kanë ekzistuar për qindra vjet me radhë, do të ballafaqohesh me probleme”, ka shtuar ai.

Ndalesa në ndihma shkaktoi trishtim në Kiev

Ukrainasit shfrytëzuan disa kanale të komunikimit për të pyetur administratën rreth vendimit, mirëpo hasën në vështirësi që të sigurojnë informacion të vlefshëm, sipas një zyrtari ukrainas të afërt me këtë çështje.

Sipas këtij burimi, në bisedat e mëvonshme me ukrainasit, administrata e cilësoi pezullimin e ndihmës si “çështje e politikave të brendshme”. Zyrtarët e lartë të Ukrainës nuk u përgjigjën ndaj kërkesës për komente shtesë.

Transporti i armëve amerikane për në Ukrainë kërkon miratimin e disa agjencive dhe mund të zgjasë javë apo madje muaj për t'u përfunduar, në varësi të madhësisë së ngarkesës. Shumica e ndihmës ushtarake amerikane kalon përmes një qendre logjistike në Poloni përpara se të merret nga përfaqësuesit ukrainas dhe të transportohet në vend.

Kjo qendër mund të mbajë ngarkesa për periudha të gjata kohore. Nuk është e qartë nëse 11 fluturimet e anuluara ishin të vetmet që ishin planifikuar atë javë në shkurt, sa ndihmë ishte grumbulluar tashmë në Poloni dhe nëse ajo vazhdoi të rrjedhë në Ukrainë pavarësisht urdhrave të ushtrisë amerikane.  

Zbulimet janë bërë në një kohë trazirash për departamentin. Disa prej këshilltarëve të lartë të Hegsethit u shoqëruan jashtë ndërtesës së departamentit më 15 prill, pasi që ishin akuzuar për shpalosje të paautorizuar të informacioneve sekrete. Shefi i Pentagonit vazhdon të hetohet nga Kongresi, sa u përket komunikimeve të tij. Në të kaluarën, ai i kishte lidhur akuzat për trazira me punonjës të pakënaqur.

Fluturimet e anuluara bartnin armë që ishin aprovuar prej kohësh nga administrata e ish-presidentit, Joe Biden dhe ligjvënësit në Kongres. 

Reutersi nuk ka mundur të përcaktojë nëse Hegsethi apo ekipi i tij i dinin pasojat që do të prodhonte urdhri ndaj TRANSCOM-it apo nëse urdhri do të përbënte ndryshim përmbajtjesor në politikën e SHBA-së kundrejt Ukrainës. Tri burime të afërta me situatën kanë theksuar se Hegsethi kishte keqinterpretuar diskutimet me presidentin rreth politikës amerikane në Ukrainë dhe ndihmave ushtarake pa e shtjelluar fare më tutje.

Katër persona të tjerë që kanë informata për situatën kanë thënë se një grup i vogël zyrtarësh brenda Pentagonit, shumë prej të cilëve nuk kanë mbajtur kurrë pozita në qeveri dhe që për vite kanë folur kundër ndihmës amerikane për Ukrainën, e këshilluan Hegsethit të shqyrtojë ndalimin e ndihmës për vendin.

Dy persona të afërt me çështjen kanë mohuar se ka pasur ndalesë të mirëfilltë në ndihmën ushtarake. Njëri nga ta e ka përshkruar vetëm si pezullim logjistik.

“Ata thjesht donin të kuptonin se çfarë po ndodhte, dhe si rezultat, e keqinterpretuan situatën duke menduar se ‘duhet të ndalojmë gjithçka’”, ka thënë njëri nga burimet e lartcekura.

Anulimi i fluturimeve

Bazuar në dy burime që kanë njohuri me çështjen, Hegsethi kishte mbërritur në takimin e 30 janarit në Zyrën Ovale, me një memo të formuluar nga disa prej këshilltarëve të tij, e cila udhëzonte shefin e tyre që të trumbetonte idenë e pezullimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, në mënyrë që SHBA-ja të krijonte epërsi në bisedimet e paqes me Rusinë.

Burimet kanë konfirmuar se sekretari i Mbrojtjes mori pjesë në takim së bashku me zyrtarët e lartë të qeverisë, përfshirë këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz dhe të dërguarin për Ukrainën, Keith Kellogg. Grupi ka diskutuar gjerësisht politikën amerikane ndaj Ukrainës dhe Rusisë, përfshirë mundësinë e shtrëngimit të sanksioneve kundrejt Moskës.

Nuk është ende e qartë se në çfarë mase Hegsethi propozoi ndalimin e ndihmës gjatë takimit, por ideja u përmend në biseda, ka bërë të ditur njëri nga burimet dhe një person tjetër i afërt me takimin.
Që prej fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në Ukrainë në shkurtin e vitit 2022, SHBA-ja ka miratuar miliarda dollarë në ndihma ushtarake për Kievin zyrtar. Shumica u realizuan gjatë kohës së administratës Biden. Por disa ngarkesa mbetën në proces, të planifikuara për verën e këtij viti. 
Trumpi ishte zotuar se do të ngrinte ndihmat gjatë fushatës zgjedhore, porse ende nuk e kishte zbatuar një gjë të tillë. Ndërkaq, në kuadër të takimit, ai përsëri refuzoi të ndalonte ndihmën për Ukrainën ose të urdhëronte Hegsethin që të zbatonte ndonjë ndryshim përmbajtjesorë në politika, kur tema për dërgesat e armatimit ishte në tryezë.

Urdhri i plotfuqishëm i cili do të ngrinte të gjithë ndihmën ushtarake për një shtet aleat do të duhej të diskutohej paraprakisht ndërmjet zyrtarëve të sigurisë kombëtare e më pastaj të miratohej nga presidenti. Një urdhër i tillë kërkon koordinimin e shumë agjencive qeveritare.

Asnjëra nga këto diskutime ose koordinime nuk ndodhi kur zyra e Hegsethit anuloi fluturimet e planifikuara që transportonin municione dhe fishekë artilerie amerikane për në Poloni nga baza ushtarake Al Udeid në Katar dhe baza ushtarake Dover në Delaware, kanë thënë tri nga burimet.
Pezullimi ndodhi ndërsa ushtria e Ukrainës po luftonte për të mbrojtur territoret nga forcat ruse në lindje të vendit dhe në betejën vendimtare për rajonin e Kurskut të Rusisë, ku forcat ukrainase po humbnin terren dhe që nga atëherë janë praktikisht të dëbuara.

Këshilltarët e ngushtë të Trumpit u njoftuan për pezullimin e ndihmës nga punonjës të Pentagonit dhe diskutuan me presidentin nëse do të rikthenin ngarkesat e ndihmës, sipas dy burimeve. Deri atëherë, TRANSCOM kishte anuluar 11 fluturime. Disa media, përfshirë Reutersin, kishin shkruar në lidhje me

pauzën, mirëpo roli i Hegsethit nuk ishte i njohur më parë.
Nuk është e qartë nëse Trumpi më vonë e ka pyetur ose e ka dënuar Hegsethin. Një burim me njohuri mbi çështjen ka thënë se këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, ndërhyri përfundimisht për të ndryshuar vendimin. Ndër të tjera, Waltzi u shkarkua të enjten e javës së kaluar, teksa aktualisht pritet të emërohet ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Konfliktet e brendshme

Kur Trumpi mori detyrën, ndihma për Ukrainën vazhdoi të rrjedhë teksa ai u angazhua të punonte me Ukrainën dhe Rusinë për t’i dhënë fund luftës – ose të paktën për të arritur një marrëveshje të armëpushimit.Dy nga dërguarit e tij më të shquar, Kellogg, një mbështetës i Kievit që punoi me Trumpin gjatë administratën së tij të parë, dhe Steve Witkoff, një miliarder dhe mik i ngushtë i presidentit, nisën negociatat me të dyja palët.

Ndërkaq, në Pentagon, disa nga këshilltarët politikë të Hegsethit filluan të hartonin propozime për të tërhequr mbështetje amerikane për Ukrainën, sipas dy burimeve që janë të informuar mbi çështjen.
Ky grup punonjësish e afirmon filozofinë izolacioniste.

Disa prej tyre kanë këshilluar më parë ligjvënës republikanë që mbështesin qasjen “Amerika para të gjithash” në fushën e politikës së jashtme dhe kanë kërkuar publikisht, në shkrime dhe biseda, që SHBA-ja të tërhiqet nga angazhimet ushtarake në Lindjen e Mesme dhe Evropë – pikëpamje që mbahet gjithashtu nga zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance. Disa prej tyre kanë propozuar që SHBA-ja të përqendrohet në Kinë.

Përkrahësit e punonjësve të stafit kanë sulmuar ata që janë kundër lëvizjes izolacioniste në administratë, duke pretenduar se Vance dhe të tjerët po përpiqen thjesht të shpëtojnë jetët e njerëzve që jetojnë në zona të konfliktit si Ukraina dhe të parandalojnë vdekjet e ushtarëve amerikanë.
Përçarjet kanë ndërlikuar procesin e vendimmarrjes, sipas një personi të njohur me çështjen dhe katër burimeve të tjera. Në kohën kur Kellogg dhe Witkoff po përpiqen të ndërmjetësojnë marrëveshjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, punonjësit e stafit kanë mbështetur në prapaskenë tërheqjen e mbështetjes amerikane për Kievin – politikë e cila ka zemëruar zyrtarët ukrainas dhe ka detyruar aleatët evropianë të mbushin boshllëkun.

Washingtoni ka nënshkruar marrëveshje me Kievin për mineralet e rralla – që sipas zyrtarëve amerikanë është një përpjekje për të rikthyer paratë që Amerika ka shpenzuar për të mbështetur përpjekjet e luftës të Ukrainës.

Pavarësisht pauzës së shkurtër në shkurt dhe asaj më të gjatë në fillim të muajit mars, administrata Trump ka rifilluar dërgimin e ndihmës së fundit të miratuar nga administrata e mëparshme e Joe Bidenit.