Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk e kishte informuar Shtëpinë e Bardhë përpara se të autorizonte një ndalesë për dërgesat e armëve në Ukrainë javën e kaluar, sipas pesë burimeve të njohura me çështjen.
Çështja ka shkaktuar një përplasje brenda administratës për të kuptuar pse u zbatua ndalesa dhe për t'ia shpjeguar atë Kongresit dhe qeverisë ukrainase, raporton CNN.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ai nuk ishte përgjegjës për këtë veprim. I pyetur të martën gjatë një mbledhjeje të kabinetit se kush e autorizoi ndalesën, Trumpi është përgjigjur se nuk e dinte.
Pauza shënon herën e dytë këtë vit që Hegseth kishte vendosur të ndalonte rrjedhën e armëve amerikane në Ukrainë, duke i zënë në befasi zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare, kanë thënë burimet.
Kjo ka ndodhur për herë të parë në shkurt mirëpo vendimi është anuluar shpejt, kanë thënë tri burimet, duke pasqyruar atë që ndodhi të hënën në mbrëmje, kur Trumpi njoftoi se dërgesat e armëve do të vazhdonin pavarësisht se Hegseth miratoi pauzën.
I dërguari special i SHBA-së në Ukrainë, gjenerali në pension Keith Kellogg, dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio, i cili është gjithashtu këshilltari i sigurisë kombëtare i Trumpit, gjithashtu nuk ishin njoftuar paraprakisht për pauzën dhe mësuan për të nga raportet e shtypit, sipas një zyrtari të lartë të administratës dhe dy burimeve.
E pyetur nëse Hegseth e informoi Shtëpinë e Bardhë para se të miratonte një pauzë të dërgesave, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë në një deklaratë se Pentagoni kreu një rishikim "për të siguruar që e gjithë mbështetja që shkon në të gjitha vendet e huaja përputhet me interesat e Amerikës" dhe ka shtuar se Trumpi "ka marrë vendimin për të vazhduar furnizimin me armë mbrojtëse për Ukrainën për të ndihmuar në ndalimin e vrasjeve në këtë luftë brutale, për të cilën Pentagoni ka thënë se po punon në mënyrë aktive".
Ajo ka shtuar se "presidenti ka besim të plotë te Sekretari i Mbrojtjes".
Dy nga burimet ia atribuan mosinformimin e Shtëpisë së Bardhë nga Hegsethi faktit se ai nuk ka shef stafi apo këshilltarë të besuar përreth tij që mund ta nxisin të koordinojë më mirë vendimet e mëdha politike me partnerët ndëragjencialë.