Botë

Ukraina u bën thirrje civilëve të lëshojnë zonat e çliruara para dimrit

Evakuimi i qytetareve nga Khersoni e Mykolaivi ne Ukraine

Autoritetet ukrainase u kanë kërkuar banorëve të dy rajoneve jugore, Kherson dhe Mykolaiv, të cilat forcat ruse i kanë bombarduar prej muajsh, të lëvizin në zona më të sigurta në pjesët qendrore dhe perëndimore të vendit. Evakuimi është kërkuar nga frika se mungesa e ngrohjes, energjisë dhe ujit për shkak të bombardimeve ruse do t'i bëjë kushtet e jetesës shumë të vështira këtë dimër.

Autoritetet ukrainase kanë filluar evakuimin e civilëve nga pjesët e çliruara së fundmi të rajoneve Kherson dhe Mykolaiv, nga frika se mungesa e ngrohjes, energjisë dhe ujit për shkak të bombardimeve ruse do t'i bëjë kushtet e jetesës shumë të vështira këtë dimër. Organizata Botërore e Shëndetësisë u pajtua, duke paralajmëruar se miliona njerëz përballen me një dimër "kërcënues për jetën" në Ukrainë.

Autoritetet u kërkuan banorëve të dy rajoneve jugore, të cilat forcat ruse i kanë bombarduar prej muajsh, të lëvizin në zona më të sigurta në pjesët qendrore dhe perëndimore të vendit. Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk ka theksuar se qeveria do të sigurojë transport, strehim dhe kujdes mjekësor për ta, me përparësi për gratë me fëmijë, të sëmurët dhe të moshuarit.

Vereshchuk muajin e kaluar u kërkoi qytetarëve që tani jetojnë jashtë vendit që të mos kthehen në Ukrainë për dimër për të ruajtur energjinë. Zyrtarë të tjerë kanë sugjeruar që banorët në Kiev ose gjetkë që kanë burimet për t'u larguar nga Ukraina për disa muaj, duhet ta bëjnë këtë, për të kursyer energji për spitalet dhe objektet e tjera kyçe.

OBSH-ja dha një paralajmërim rrëqethës të hënën për ndikimin njerëzor të krizës energjetike në Ukrainë.

"Ky dimër do të jetë kërcënues për jetën për miliona njerëz në Ukrainë", tha drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Dr. Hans Henri P. Kluge. “Sulmet ndaj infrastrukturës shëndetësore dhe energjetike nënkuptojnë se qindra spitale dhe objekte të kujdesit shëndetësor nuk janë më plotësisht funksionale, me mungesë të karburantit, ujit dhe energjisë elektrike”.

Ai paralajmëroi për rreziqet shëndetësore si problemet e frymëmarrjes dhe kardiovaskulare nga njerëzit që përpiqen të ngrohen duke djegur qymyr ose dru dhe duke përdorur gjeneratorë me naftë dhe ngrohje elektrike.

Evakuimet po ndodhin më shumë se një javë pasi Ukraina ripushtoi qytetin e Khersonit, në bregun perëndimor të lumit Dnieper dhe zonat përreth në një fitim të madh në fushën e betejës. Që atëherë, duke shkuar në dimër, banorët dhe autoritetet po kuptojnë se sa energji dhe infrastrukturë tjetër dëmtuan ose shkatërruan rusët përpara se të tërhiqeshin.

Ukraina është e njohur për motin e saj të ashpër të dimrit dhe bora tashmë ka mbuluar Kievin, kryeqytetin dhe pjesë të tjera të vendit.

Forcat ruse po forcojnë linjat e tyre të mbrojtjes përgjatë bregut lindor të lumit Dnieper, nga frika se forcat ukrainase do të hyjnë më thellë në rajon. Në javët para kundërsulmit të suksesshëm të Ukrainës, autoritetet e instaluara nga Rusia zhvendosën dhjetëra mijëra banorë të qytetit Kherson në zonat e kontrolluara nga Rusia.

Të hënën, autoritetet e instaluara nga Rusia u kërkuan banorëve të tjerë që të evakuojnë një zonë në bregun lindor të lumit që Moska tani kontrollon, duke përmendur luftimet intensive në distriktin Kakhovskiy të Khersonit.

Rusia ka goditur rrjetin elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër nga ajri për javë të tëra, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike dhe duke lënë miliona ukrainas pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë.

Për të përballuar, ndërprerjet e energjisë elektrike prej katër orësh ose më gjatë ishin planifikuar të hënën në 15 nga 27 rajonet e Ukrainës, sipas Volodymyr Kudrytsky, kreu i operatorit shtetëror të rrjetit të Ukrainës Ukrenergo. Ukrenergo planifikon më shumë ndërprerje të martën. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se sulmet me raketa ruse kanë dëmtuar më shumë se 50% të objekteve energjetike të vendit.

Zelenskyy përsëriti të hënën thirrjet e tij për vendet e NATO-s dhe aleatët e tjerë që ta njohin Rusinë si një shtet terrorist, duke thënë se bombardimi i objekteve energjetike ishte i barabartë me "përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë". Zelenskyy gjithashtu kërkoi përsëri sanksione më të rrepta kundër Rusisë dhe apeloi për më shumë ndihmë për mbrojtjen ajrore.

"Shteti terrorist duhet të shohë se ata nuk kanë një shans", tha ai në takimin e 68-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Madrid në një fjalim video, pas së cilës ai tha se organi miratoi përcaktimin terrorist.

Gjithashtu, Zelenskyy dhe gruaja e tij bënë një paraqitje të rrallë publike të përbashkët për të mbajtur një moment heshtjeje dhe për të vendosur qirinj në një memorial në Kiev për ata që u vranë në protestat masive pro-Bashkimit Evropian të Ukrainës në vitin 2014. Ndërsa kambanat binin, në Ukrainë çifti i parë eci nën një qiell gri në rrugët e pluhurosura me borë dhe akull deri në një mur me pllaka guri që mbanin emrat e protestuesve të rënë.

Vizita e tyre përkoi me kujtimet e reja të hënën për më shumë vdekje dhe shkatërrim në tokën ukrainase.

Të paktën katër civilë u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në Ukrainë gjatë 24 orëve të fundit, tha të hënën nënkryetari i zyrës presidenciale të vendit, Kyrylo Tymoshenko.

Një sulm me raketa ruse në rajonin verilindor të Kharkivit ka vrarë një person dhe plagosi dy ndërsa goditi një ndërtesë banimi në fshatin Shevchenkove, sipas guvernatorit të rajonit.

Një person u plagos në rajonin e Dnipropetrovskit, ku forcat ruse bombarduan qytetin e Nikopolit dhe zonat përreth, tha guvernatori Valentyn Reznichenko. Nikopoli shtrihet përtej lumit nga centrali bërthamor Zaporizhzhia.

Në rajonin lindor të Donetskut, të cilin Moska e kontrollon pjesërisht, forcat ruse bombarduan 14 qytete dhe fshatra, tha guvernatori ukrainas i rajonit.

Luftime të ashpra po zhvilloheshin pranë qytetit Bakhmut të kontrolluar nga ukrainas, ku u dëmtua një shkollë. Në Makiivka, e cila është nën kontrollin rus, një depo nafte është goditur dhe ka marrë flakë.

Autoritetet e instaluara nga Rusia thanë se më shumë se 105 mijë njerëz në kryeqytetin e provincës, Donetsk, mbetën pa energji elektrike të hënën pasi bombardimet ukrainase dëmtuan linjat e energjisë elektrike. Një person u vra, thanë zyrtarët, dhe 59 minatorë u bllokuan nën tokë pasi u ndërpre energjia në katër miniera qymyri.

Në rajonin fqinj të Luhanskut, pjesa më e madhe e të cilit është nën kontrollin rus, ushtria ukrainase po përparon drejt qyteteve kryesore të Kreminës dhe Svatove, ku rusët kanë ngritur një linjë mbrojtëse, sipas guvernatorit ukrainas të Luhanskut, Serhiy Haidai.

“Ka suksese dhe ushtria ukrainase po lëviz shumë ngadalë, por do të jetë shumë më e vështirë për rusët të mbrohen, tha Haidai për televizionin ukrainas.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se mbajtja e kontrollit të Svatove duhet të jetë një prioritet politik për Rusinë, por se “si aftësitë mbrojtëse ashtu edhe ato sulmuese ruse vazhdojnë të pengohen nga mungesa e madhe e municioneve dhe personelit të kualifikuar”.

Në një zhvillim tjetër, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e OKB-së tha se inspektorët e saj të hënën raportuan se bombardimet në fundjavë të termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, nuk kishin dëmtuar pajisjet kryesore dhe ata nuk kishin identifikuar asnjë shqetësim për sigurinë bërthamore.

Gjashtë reaktorët, të cilët janë të gjithë të mbyllur, janë të qëndrueshëm dhe integriteti i karburantit të shpenzuar dhe të freskët, së bashku me mbetjet radioaktive të ruajtura, u konfirmua, tha IAEA-ja, duke shtuar se stafi po riparon dëmtimet në pajisje të tjera.

Siç kanë bërë për muaj të tërë, Kievi dhe Moska fajësuan njëri-tjetrin për bombardimin e termocentralit të pushtuar nga Rusia, dhe përsëri IAEA-ja nuk komentoi se kush ishte përgjegjës.

Përktheu: Forca Jashari