Rusia ka lëshuar pothuajse 50 dronë Shahed në objektiva të caktuara në Ukrainë dhe bombardoi një stacion treni ku më shumë se 100 civilë ishin duke pritur trenin për në Kiev, thanë zyrtarët ukrainas të mërkurën. Bombardimet kanë lënë të vdekur të paktën pesë persona dhe ndërprenë energjinë në pjesën më të madhe të qytetit jugor të Khersonit.
Breshëria ajrore erdhi një ditë pasi avionët luftarakë ukrainas dëmtuan një anije ruse të ankoruar në Detin e Zi jashtë Krimesë, ndërsa dy ushtritë përpiqen të bëjnë përparim përgjatë vijës së parë të luftës 22-mujore.
Gjatë natës, forcat e Kremlinit nisën një bombardim me artileri dhe dronë në rajonin e Khersonit, pikërisht në kohën kur rreth 140 civilë po prisnin një tren në kryeqytetin e rajonit me të njëjtin emër, sipas ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Ihor Klymenko. Granatimet vranë një polic dhe plagosën dy policë të tjerë, si dhe dy civilë.
Më shumë se 100 njerëz që prisnin trenin në momentin e sulmit mbërritën në Kiev të mërkurën në mëngjes, ka njoftuar operatori hekurudhor kombëtar Ukrzaliznytsia.
Sulmi në rajonin Kherson dhe kryeqytetin e tij goditi zonat e banuara dhe një qendër tregtare, si dhe goditi rrjetin elektrik, duke lënë rreth 70% të familjeve në qytetin Kherson pa energji elektrike gjatë të ftohtit të dimrit, tha guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin.
Nuk ishte e mundur menjëherë të vlerësohej se kur mund të rikthehej energjia, ka theksuar ai.
Synimi i infrastrukturës energjetike ishte gjithashtu një taktikë ruse dimrin e kaluar, kur u përpoq t’i dëmtonte fort ukrainasit duke ua mohuar ngrohjen dhe ujin e pijshëm.
Në Odesa, një qytet tjetër i madh në Ukrainën jugore, sulmi me dron vrau dy persona dhe plagosi tre, duke përfshirë një 17-vjeçar, tha guvernatori rajonal Oleh Kiper.
Një vlerësim ushtarak perëndimor, ndërkohë, llogariti se pushtimi nga Rusia këtë javë i një qyteti në Ukrainën lindore nuk do t’i siguronte trampolinë për përfitime të mëdha në fushën e betejës.
Komandanti i përgjithshëm ukrainas, gjenerali Valerii Zaluzhnyi ka njoftuar të martën se trupat e tij ishin tërhequr në periferi të qytetit Marinka, i cili ndodhet rreth 20 kilometra në perëndim të Donetskut, qyteti më i madh në territorin e kontrolluar nga Rusia.
Zaluzhnyi ka treguar se trupat e tij e kishin mbajtur Marinkën për gati dy vjet, por rusët “po e shkatërronin atë rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi”.
Instituti për Studimin e Luftës, një institut kërkimor, ka deklaruar se “forcat ruse nuk kanë gjasa të bëjnë përparime të shpejta operacionale nga Marinka”.