Botë

Ukraina godet me eksplozivë urën që lidh Rusinë me Krimenë

Ura

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, SBU, ka thënë të martën se e ka goditur urën që lidh Rusinë dhe Gadishullin e pushtuar të Krimesë me eksplozivë të vendosur nën ujë.

“Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës kreu një operacion të ri unik special dhe goditi Urën e Krimesë për herë të tretë, këtë herë nën ujë! Operacioni zgjati disa muaj”, ka shkruar SBU-ja në Telegram, raporton CNN.

Agjencia ka thënë se ka përdorur 1,100 kilogramë eksplozivë të cilët “dëmtuan rëndë” shtyllat nënujore që mbështesin urën.

Operacioni erdhi pasi SBU-ja të dielën nisi një sulm ajror të guximshëm ndaj flotës së bombarduesve strategjikë të Rusisë, të aftë për të mbajtur koka bërthamore.

Sulmi vjen po ashtu një ditë pas rundit të dytë të bisedimeve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë për fundin e luftës.

Zyrtarët rusë kanë thënë se trafiku është pezulluar në urën Kerç të Krimesë, disa orë pasi Ukraina tha se e kishte goditur urën me eksplozivë nënujorë. 

Në bisedimet që janë mbajtur në Stamboll të Turqisë, Ukraina ka pranuar të ashtuquajtuarin memorandum nga Rusia, teksa Ukraina thotë se ajo ia kishte dorëzuar Rusisë kornizën e kushteve për përfundimin e luftës, kohë më parë.

Në bisedimet e së hënës, palët janë pajtuar për shkëmbimin e 6,000 ushtarëve të vrarë në luftë.