Botë

Zelensky bën thirrje për sanksione ndaj Rusisë, pas sulmit “barbar” në Sumy

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka komentuar të martën sulmin ajror rus në Sumy, të cilin e quajti sulm “barbar” që kishte për cak civilë të rëndomtë, raporton The Guardian.

Lideri ukrainas ka bërë të ditur se të paktën tre persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë lënduar.

Ai ka thënë se sulmi dëshmon që Rusia nuk është serioze sa duhet për të arritur paqen, teksa ka nënvizuar rëndësinë e sanksioneve.

“Është e qartë se pa presion botëror – pa veprime konkrete nga Shtetet e Bashkuara, Evropa, dhe çdo kush tjetër në botë që ka fuqi – Putini nuk do të pajtohet për armëpushim”, ka shkruar ai në X.

Ushtria ruse lëshoi pesë raketa mbi qytet rreth orëve të hershme të mëngjesit, sipas kreut të administratës së qytetit, Oleg Grygorov.

Për fat të keq, dy persona u vranë, ndërsa 20 të tjerë u lënduan, ka thënë ai, tek ka shtuar se një institucion mjekësor, makina dhe shtëpi u dëmtuan përgjatë sulmit rus.