Ukraina ka njoftuar të martën se ka rrëzuar gjashtë raketa hipersonike ruse Kinzhal, duke penguar superarmën që Moska e ka shpallur më parë si të pandalshme.
Kjo është hera e parë që Ukraina pretendon se ka goditur disa raketa hipersonike, megjithatë nuk është konfirmuar ende asgjë.
Sirenat e sulmit ajror janë ndezur në pothuajse të gjithë Ukrainën të martën dhe janë dëgjuar mbi Kiev dhe rajonin e tij për më shumë se tre orë.
"Misioni i armikut është të mbjellë panik dhe të krijojë kaos. Megjithatë, në zonën operacionale veriore (përfshirë Kievin), gjithçka është nën kontroll të plotë”, ka thënë gjenerali Serhiy Naev, komandanti i Forcave të Bashkuara të Armatosura.
Gjashtë raketat balistike Kinzhal që lëvizin deri në 10 herë më shumë se shpejtësia e zërit, ishin në mesin e një breshëri prej 18 raketash që Rusia gjuajti në Ukrainë gjatë natës.
Edhe
Rusia hedh poshtë pretendimin e Ukrainës se ka rrëzuar raketat hipersonike Kinzhal
Autoritetet e qytetit në kryeqytetin ukrainas kanë thënë se tre persona janë plagosur nga rënia e mbeturinave të raketave.
Rusia e përdori këtë armë në luftë për herë të parë në Ukrainë vitin e kaluar dhe e ka pranuar vetëm se ka lëshuar raketat në disa raste.