Rusia ka lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa balistike mbi Kiev gjatë natës, në një nga sulmet ajrore më të mëdha mbi kryeqytetin ukrainas gjatë luftës trevjeçare, duke dëmtuar disa ndërtesa banimi dhe duke lënë të lënduar të paktën 15 persona.
Forca Ajrore e Ukrainës ka njoftuar se Rusia kishte lëshuar 14 raketa balistike brenda natës ndaj objektivave në të gjithë vendin si dhe kishte nisur 250 dronë me rreze të gjatë veprimi.
Në orët e para të mëngjesit, dëshmitarët panë dhe dëgjuan valë të njëpasnjëshme dronësh, teksa një seri shpërthimesh tronditën kryeqytetin, ka raportuar Reuters.
Fotot e postuara në internet shfaqnin tymin që dilte nga një bllok banimi dhe flakë që përfshinin pjesë të një blloku tjetër, ndërsa ekipet e emergjencës po përpiqeshin të shuanin zjarrin.
Rusia dhe Ukraina dorëzuan secila nga 390 ushtarë dhe civilë të premten në shkëmbimin më të madh të të burgosurve që nga fillimi i luftës në vitin 2022.
Të dyja palët kthyen 270 ushtarakë dhe 120 civilë në kufirin ukrainas me Bjellorusinë, si pjesë e marrëveshjes së vetme të arritur në bisedimet e drejtpërdrejta në Stamboll një javë më parë.
Megjithatë në rrethanat e tanishme, palët mbeten ende larg dakordimit për t’i dhënë fund luftës.