Sulmet ruse me raketa dhe dronë mbi Ukrainën gjatë natës dhe orëve të para të së shtunës, vranë të paktën tre persona dhe plagosën 17 të tjerë, kanë njoftuar zyrtarët lokal.
Në kryeqytet, Kiev, një person u vra dhe 10 të tjerë u plagosën në një sulm me raketa balistike në orët e para të së shtunës, tha Timur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit.
Rusia goditi një depo në një lagje verilindore të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, të shtunën në mëngjes, duke shkaktuar dëme në ndërtesat përreth, raportoi Guardian.
Në rajonin e Dnipropetrovsk, dy persona u vranë dhe shtatë u plagosën, tha guvernatori rajonal, Vladyslav Haivanenko, duke shtuar se shumë ndërtesa, shtëpi private u dëmtuan nga sulmet.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi nëntë raketa dhe 62 dronë, nga të cilat ka rrëzuar katër raketa dhe 50 dronë.
Në Rusi, Ministria e Mbrojtjes tha se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi 121 dronë ukrainas gjatë natës.
Sulmet erdhën pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i kërkoi SHBA-së të premten të zgjerojë sanksionet ndaj naftës ruse në të gjithë sektorin dhe bëri thirrje që raketat me rreze të gjatë veprimi të kundërsulmojnë Rusinë.
Zelensky ishte në Londër për bisedime me udhëheqës të shumtë evropianë, të cilët kanë premtuar ndihmë ushtarake për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni i ardhshëm rus.
Takimi, i organizuar nga kryeministri britanik Keir Starmer, synonte të rriste presionin mbi presidentin rus Putin, duke përfshirë një raund të ri sanksionesh nga SHBA-ja dhe Evropa mbi të ardhurat jetësore të Rusisë, eksportit të naftës dhe gazit.