Ushtria ukrainase ka njoftuar se ka shkatërruar një nëndetëse ruse ndërsa ishte ankoruar në një port në Krime, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
Ukraina pretendon se e ka shkatërruar nëndetësen “Rostov-on-Don”, të cilën Rusia e përdor që nga viti 2014. Sulmi me raketa ukrainase ndaj kësaj anijeje ka ndodhur të premten në qytetin më të madh të Krimesë, Sevastopol.
Dyshohet se ishte një nga katër nëndetëset e flotës ruse të Detit të Zi, të cilat kanë aftësinë të lëshojnë raketa lundrimi. Përveç kësaj, sipas Kievit, katër sisteme ruse të mbrojtjes ajrore S-400 që mbrojnë gadishullin u shkatërruan në sulmin e djeshëm. Rusia nuk i ka komentuar pretendimet.
Në shtator të vitit të kaluar, oficerët e inteligjencës britanike vunë re se “Rostov on Don” pësoi dëme “katastrofike” në një sulm me raketa që ndodhi ndërsa kjo nëndetëse po servisohej në kantierin e Sevastopolit.
Ushtria ukrainase njoftoi se Rusia e riparoi nëndetësen pas sulmit dhe e testoi pranë Sevastopolit. Sipas vlerësimit të tyre, nëndetësja kap vlerën e 300 milionë dollarëve.
“Shkatërrimi i Rostov-on-Don është një tjetër dëshmi se nuk ka vend të sigurt për flotën ruse në ujërat territoriale ukrainase të Detit të Zi”, ka thënë ushtria ukrainase.
Siç raportohet nga BBC, ky ishte i fundit në një seri sulmesh ukrainase ndaj forcave detare ruse në Sevastopol në muajt e fundit. Në mars të këtij viti, ukrainasit njoftuan se kishin goditur dy anije zbarkimi dhe një anije patrullimi.
Sipas të dhënave të Ukrainës, që nga fillimi i agresionit rus, ka dëmtuar ose fundosur rëndë të paktën 15 anije luftarake ruse, përfshirë anijen e flotës së Detit të Zi “Moskva”.