Botë

Ukraina nis rrugëtimin e gjatë drejt Bashkimit Evropian

Rekomandimi i Bashkimit Evropian që Ukraina të bëhet kandidate për anëtarësim do të diskutohet nga liderët e bllokut të 27 vendeve gjatë samitit që do të mbahet në Bruksel javën e ardhshme. Lufta vetëm sa e ka shtuar presionin mbi qeveritë e Bashkimit Evropian për ta përshpejtuar procesin për statusin e Ukrainës

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian ka rekomanduar vendosjen e Ukrainës në rrugën e anëtarësimit të premten, nxitje simbolike për vendin e përfshirë në luftë, ama që nuk e ngadalësoi sulmin rus në lindje që po merr jetë civile e që po i bën shkrumb e hi qytetet.

Mundësia e anëtarësimit në një bashkim të krijuar për ta ruajtur paqen në kontinent dhe që qëndron si model për sundimin e ligjit dhe prosperitetin, përmbush një dëshirë të presidentit Volodymyr Zelenskyy dhe të shumë qytetarëve me pamje perëndimore që i rezistojnë pushtimit rus.

Mbështetja e fundit për Ukrainën nga aleatët evropianë shënon po ashtu një tjetër pengesë për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili e nisi luftën gati katër muaj më parë, duke shpresuar ta tërhiqte fqinjin ish-sovjetik përsëri në sferën e ndikimit të Rusisë. Putini ishte planifikuar të fliste në forumin ekonomik të Rusisë në Shën Petersburg të premten, mirëpo fjalimi i tij u vonua pasi faqja e forumit u godit nga një sulm kibernetik.

Rekomandimi i Bashkimit Evropian që Ukraina të bëhet kandidate për anëtarësim do të diskutohet nga liderët e bllokut të 27 vendeve gjatë samitit që do të mbahet në Bruksel javën e ardhshme. Lufta vetëm sa e ka shtuar presionin mbi qeveritë e Bashkimit Evropian për ta përshpejtuar procesin për statusin e Ukrainës. Ama, procesi pritet të zgjasë me vite, ndërkohë që anëtarët e BE-së mbeten të ndarë mbi çështjet e pranimit të anëtarëve të rinj.

Mst: Mbështetja perëndimore

Mbështetja e vendeve të Perëndimit për Ukrainën – si politike ashtu edhe ushtarake - ka qenë kyçe në suksesin e befasishëm që pati Ukraina kundrejt forcave ruse të pajisura më fort dhe më mirë. Zelenskyy po ashtu ka bërë shumë zhurmë për mbështetje më të madhe duke kërkuar armë më të mira nga Perëndimi në mënyre që ta kthejë në favor të vetin betejën për rajonin e Donbasit.

Rusia e dërgoi ofensivën e saj atje të premten, duke i lënë banorët në dëshpërim teksa përpiqeshin ta kuptojnë se çka i pret në të ardhmen.

“Jemi të moshuar, s’kemi ku të shkojmë. Ku të shkoj?”, ka pyetur Vira Mjediensteva, një nga banorët më të moshuar që po përballet me pasojat e një sulmi të enjten në Lysynchansk, i cili shtrihet pikërisht përtej lumit nga Sievierodonetsk, fokus kyç i betejave në javët e fundit që rusët pothuajse e kanë kapur.

Marina ukrainase ka pretenduar të premten se shkatërroi një varkë ruse që transportonte sisteme të mbrojtjes ajrore në një ishull strategjik në Detin e Zi. Në një deklaratë në mediat sociale, marina ka bërë të ditur se Vasily Bekh u përdor për të transportuar municione, armë dhe personel në ishullin e gjarpërinjve, i cili është jetik për mbrojtjen e rrugëve detare nga porti kryesor i Odesës.

Ishulli i gjarpërinjve, i vendosur rreth 35 kilometra larg bregut, i paharrueshëm në fillim të luftës, kur rojat kufitare ukrainase të vendosura atje kundërshtuan urdhrat rusë për t'u dorëzuar, duke përdorur gjuhë shumëngjyrëshe që më vonë u bë thirrje tubuese. Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga autoritetet ruse në lidhje me pretendimin ukrainas.

Ndërprerja e luftës në eksportet e drithërave dhe kulturave të tjera nga Ukraina që ushqejnë botën ka tërhequr vëmendjen globale dhe ka rritur çmimet e bukës në mbarë botën. Mirëpo, prodhimi i produkteve të tjera ushqimore më të veçanta ka ndikuar gjithashtu, duke përfshirë një fermer ukrainas të kërmillit.

Organizatori i Eurovision Song Contest, të premten ka njoftuar se do t’i fillojë bisedimet me BBC-në për mbajtjen e eventit të vitit të ardhshëm në Britaninë e Madhe, pasi arriti në përfundimin se nuk mund të mbahet në Ukrainë. Muajin e kaluar, grupi ukrainas, Kalush Orchestra e ka fituar konkursin e vitit 2022. Veprimtaria organizohet tradicionalisht nga fituesi i vitit të kaluar.

Mst: Beteja për Donbasin

Pas një sërë pengesash në fillim të luftës, duke përfshirë dështimin për ta pushtuar kryeqytetin e Ukrainës, forcat ruse e kanë zhvendosur fokusin e tyre në Donbas, duke bërë ofensivë të rëndë. Javët e fundit, janë zhvendosur në Sievierodonetsk dhe fshatrat përreth - territori i fundit i rajonit të Luhanskut që ende nuk është synuar nga Rusia apo aleatët e saj.

“Rusët po hedhin zjarr mbi qytet”, ka thënë guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai. “Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ne që të luftojmë në Sievierodonetsk, sepse rusët na tejkalojnë në numër në artileri e fuqi punëtore, dhe është shumë e vështirë për ne t'i rezistojmë kësaj breshëri zjarri”.

Granatimet e vazhdueshme bënë të pamundur arratisjen për 568 persona, përfshirë 38 fëmijë, të strehuar në fabrikën kimike Azot në qytet, ka bërë të ditur ai.

Forcat ruse kanë shkatërruar të tri urat që çojnë jashtë qytetit, mirëpo Haidai ka thënë se ende nuk ishte bllokuar plotësisht.

I dërguari i Moskës për separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të territorit rreth Sievierodonetskut ka theksuar evakuimi nga fabrika Azot mund të ndodhë në kushte të caktuara.

Duke shkruar në mediat sociale të premten, Rodion Miroshnik nga Republika Popullore e vetëshpallur e Luhanskut, ka vënë në dukje se trupat ruse dhe separatistët janë “gati t’i shqyrtojnë opsionet për hapjen e një korridori humanitar për daljen e civilëve, por që i nënshtrohen respektimit të rreptë të armëpushimit”.

Më herët këtë javë, Miroshniku i ka akuzuar trupat e Kievit se po përpiqeshin ta pengonin evakuimin e civilëve nga Azoti, pretendim i mohuar fuqishëm nga zyrtarët ukrainas.

Përktheu: Blerta Haxhiu