Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje liderëve evropianë që të dërgojnë “një mesazh të qartë politik” në mbështetje të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE), përderisa Hungaria vazhdon të bllokojë çdo përparim lidhur me këtë çështje, ka raportuar The Guardian.
Apeli i Zelenskyt është bërë të enjten mbrëma përmes një video-adresimi drejtuar liderëve të BE-së, vetëm disa orë pasi kryeministri hungarez, Viktor Orban, kishte pretenduar se ka mandat për ta ndaluar anëtarësimin e Ukrainës në bllokun evropian.
Hungaria po bllokon hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainën mbi të ashtuquajturat “çështjet themelore të grupit të parë”, kapitujt e vlerave të rregullores së BE-së që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike, gjyqësorit të pavarur dhe administratës publike.
Orbani ka mbërritur në samitin e së enjtes duke aluduar se 2.2 milionë hungarezë janë kundër pranimit të Ukrainës, bazuar në sondazhet kombëtare, pas një fushate politike gjatë së cilës votuesit u bombarduan me mesazhe anti-Ukrainë.
Pa përmendur fare emra, Zelensky ka thënë se “çfarë na duhet tani është një mesazh i qartë politik, se Ukraina po ndjek rrugën evropiane dhe se Evropa u qëndron prapa premtimeve të saj”.
Krahas kësaj, presidenti ukrainas i ka ripërsëritur thirrjet ndaj liderëve evropianë për të ashpërsuar sanksionet karshi Rusisë, teksa ka propozuar një kufi prej 30 dollarësh për të ardhurat ruse nga nafta, gjysma e shumës së vendosur nga vendet e G7-s.
“Sanksionet kundër Rusisë mbeten një nga mjetet më efektive për të kufizuar agresionin e saj”, ka shtuar Zelensky.
Së fundmi, Komisioni Evropian kishte propozuar për një kufizim çmimi prej 45 dollarësh, ndonëse plani nuk e ka fituar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.