Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer një tjetër grup të ushtarëve të sëmurë dhe të plagosur rëndë të enjten, kanë konfirmuar zyrtarë prej të dyja vendeve, ka shkruar Reuters.
“Të gjithë trupave ukrainase u duhet trajtim mjekësor”, ka shkruar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në rrjetin social Telegram, pa hyrë në detaje mbi numrin e saktë.
Kievi dhe Moska zyrtare ishin pajtuar për një shkëmbim të madh mes të burgosurve të luftës dhe trupave të pajetë të ushtarëve, gjatë bisedimeve të mbajtura në Stamboll më herët këtë muaj.
Që prej atëherë, Rusia dhe Ukraina kanë këmbyer mijëra të burgosur të luftës, duke u përqendruar te të rinjtë nën moshën 25 vjeç, të plagosurit rëndë e të sëmurët. Ka shpresa se këto shkëmbime mund të shndërrohen në disa nga shkëmbimet më të mëdha në luftën që u shkaktua nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë në Ukrainë gjatë vitit 2022.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se një grup i ushtarëve rus janë marrë nga Ukraina dhe kanë kaluar kufirin në Bjellorusi, në përputhje me marrëveshjen e arritur më 2 qershor.
“Atyre po u ofrohet ndihma e nevojshme psikologjike dhe mjekësore”, thuhet në njoftimin e ministrisë në rrjetin social Telegram.
Të mërkurën, Ukraina kishte thënë se ka riatdhesuar trupat e 1,212 ushtarëve të vrarë në luftë. Ndihmësi i Kremlinit, Vladimir Medinsky pati bërë të ditur nga ana tjetër se Rusia kishte kthyer në shtëpi trupat e pajetë të 27 ushtarëve rus.