Mes frikës për sulme nga Rusia, qeveria ukrainase mori vendim të ndalë festimet të mërkurën në kryeqytetin e vendit.
Ndjenja e frikës u thellua të martën në Ukrainë për shkak të paralajmërimeve se Rusia mund të përpiqet të prishë festën e Ditës së Pavarësisë së vendit dhe të shënojë pikën gjashtëmujore të luftës me sulme të intensifikuara, shkroi të martën Associated Press.
Autoritetet e Kievit ndaluan tubimet masive në kryeqytet deri të enjten nga frika e sulmeve me raketa në Ditën e Pavarësisë, e cila i bie të jetë të mërkurën. Kjo festë feston pavarësinë e Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
"Vendi ynë po kalon një kohë shumë të vështirë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm", tha 26-vjeçari Vlad Mudrak në mbështetje të ndalimit.
Shqetësimi u rrit edhe më shumë pas sulmit me bombë në fundjavë pranë Moskës, ku brenda një veture mbeti e vrarë vajza e një teoricienti politik rus i krahut të djathtë.
Rusia akuzoi Ukrainën për kryerjen e sulmit, ndërsa Ukraina mohoi përfshirjen.
Gjatë fundjavës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Rusia mund të përpiqet të bëjë diçka të keqe e mizore këtë javë.
“Flamuri blu dhe i verdhë i Ukrainës do të valojë sërish aty ku duhet të jetë, në të gjitha qytetet dhe fshatrat e okupuara përkohësisht të Ukrainës”, tha ai, duke përfshirë Gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në 2014.