Grupi i Shtatë udhëheqësve mblidhet në Malet Shkëmbore Kanadeze duke filluar të dielën, mes përçarjeve në rritje me Shtetet e Bashkuara mbi politikën e jashtme dhe tregtinë, dhe teksa Kanadaja pritëse përpiqet të shmangë përplasjet me presidentin amerikan, Donald Trump.
Ndërsa kryeministri Mark Carney thotë se prioritetet e tij janë forcimi i paqes dhe sigurisë, ndërtimi i zinxhirëve kritikë të furnizimit me minerale dhe krijimi i vendeve të punës, çështje të tilla si tarifat e SHBA-së dhe konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë pritet të jenë shumë të rëndësishme.
Aleati i SHBA-së, Izraeli, ka nisur një breshëri sulmesh në të gjithë Iranin të enjten, një goditje ndaj përpjekjeve diplomatike të Trumpit për të parandaluar një sulm të tillë.
Samiti do të zhvillohet në vendpushimin malor të Kananaskis, rreth 90 km në perëndim të Calgary.
Herën e fundit që Kanadaja ishte pritëse, në vitin 2018, Trumpi ishte larguar nga samiti përpara se ta denonconte kryeministrin e atëhershëm kanadez, Justin Trudeau si "shumë të pandershëm dhe të dobët" dhe t'i jepte udhëzime delegacionit të SHBA-së që të tërhiqte miratimin e saj për komunikatën përfundimtare.
"Ky do të jetë një takim i suksesshëm nëse Donald Trumpi nuk do të ketë një shpërthim që do të prishë të gjithë takimin. Çdo gjë përtej kësaj është e tepërt", ka thënë profesori i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Otavës, Roland Paris, i cili ishte këshilltar për politikën e jashtme i Trudeaus.
Trumpi shpesh ka folur për aneksimin e Kanadasë teksa Carney ka kërcënuar me hakmarrje nëse Uashingtoni nuk heq tarifat për çelikun dhe aluminin.
Të ftuarit për disa pjesë të ngjarjes që nis nga e diela dhe përfundon të martën përfshijnë udhëheqës nga Ukraina, Meksika, India, Australia, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut dhe Brazili, të cilët të gjithë kanë arsye që të flasin me Trumpin.
G7 përfshin: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francën, Gjermaninë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Kanadanë dhe po ashtu Bashkimin Evropian.