Ishte pak pas orës 18:00 të së mërkurës kur një nga vagonët e tramvajëve të famshëm Gloria të Lisbonës doli nga kthesa e një rruge të pjerrët me kalldrëm, u përplas në një ndërtesë dhe u shpërbë, ka thënë një dëshmitare okulare.
“Ai goditi një ndërtesë me forcë brutale dhe u shpërbë si një kuti letre”, ka thënë Teresa d'Avó për kanalin televiziv portugez SIC, duke shtuar se dukej sikur "nuk kishte frena".
Policia ende po heton shkakun e aksidentit, i cili la të vdekur të paktën 17 persona dhe të lënduar 20 të tjerë, disa në gjendje kritike, pranë Avenida da Liberdade në kryeqytetin portugez.
"Ishte e tmerrshme... zhurma ishte ndryshe nga çdo gjë që kisha dëgjuar ndonjëherë. Jam e tronditur”, ka shtuar Teresa.
"Ne të gjithë filluam të iknim sepse menduam se vagoni do të godiste atë tjetrin poshtë," ka thënë ajo. "Por ai rrëshqiti në kthesë dhe u përplas në një ndërtesë”.
Eric Packer, nga SHBA-ja, por që po vizitonte Lisbonën atë ditë, i ka thënë BBC-së se kishte diskutuar me miqtë e tij mundësinë që të hipte në tramvaj dhe kishte bërë fotografi në orën 18:00 dhe 18:01, por më pas kishte vendosur të kthehej në këmbë në hotelin e tyre.
Ata ecën rreth 60 metra dhe dëgjuan një zhurmë të madhe përplasjeje "si një gur që binte, sikur një kamion kishte hedhur një ngarkesë me gurë" në orën 18:02.
Ai tregon se bashkë me miqtë ishin kthyer menjëherë dhe kishin parë pluhurin që dilte nga rrugica rreth 45 metra pas tyre dhe atë që kishte ndodhur.
Në fillim, ai kishte menduar se ishte treni në fund që kishte rënë, derisa kishte vërejtur trenin tjetër që ishte sipër tij i shkatërruar plotësisht.
