Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Twitteri bllokon llogarinë e Trumpit – presidenti mbetet pa rrjete sociale

Rrjeti social, Twitter, përkohësisht ka pezulluar llogarinë e presidentit amerikan, Donald Trump, duke cituar shkeljen e vazhdueshme të rregullave si arsye.

Kompania të premten ka vendosur se postimet e Trumpit “ka shumë gjasë që të nxisin dhe inspirojnë njerëzit për të përsëritur veprat kriminale që ndodhën më 6 janar në Capitol”.

Planet për “protestat e ardhshme të armatosura” po shpërndaheshin në Twitter, dhe kompania ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që të shfrytëzohet si platformë për nxitje të dhunës.

Kjo s’është goditja e parë që rrjetet sociale ia bëjnë Trumpit. Ditë më parë, Facebooku e Instagrami njoftuan se s’do të lejojnë kthimin e tij në këto dy rrjete sociale, të paktën deri në inaugurimin e Joe Bidenit president të ri, më 20 janar.

Më 6 janar, me thirrjen e Trumpit, u organizua protestë masive në Kongresin Amerikan, me protestuesit që hynë brenda, e që në fund përfundoi me pesë të vdekur.

Që nga humbja në zgjedhjet e nëntorit, Trumpi ka përsëritur se nuk i pranon rezultatet duke kërkuar vazhdimisht përmbysjen e tyre.