Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Turqia urdhëron arrestimin e Gylenit për vrasjen e emisarit rus

Turqia ka urdhëruar arrestimin e klerikut mysliman Fetullah Gylen dhe shtatë personave tjerë për vrasjen e vitit 2016 të emisarit rus në Turqi, ka raportuar të hënën gazeta turke “Haberturk”, një ditë para vizitës së presidentit rus, Vladimir Putin, në Turqi.

Andrei Karlov u qëllua për vdekje nga një polic jashtë orarit të punës derisa po fliste në hapjen e një ekspozite në Ankara dhjetorin e vitit 2016. Vrasësi bërtiti “Allahu Akbar” dhe “Mos e harroni Alepon” derisa shtiu me armë zjarri, që me gjasë i referohej përfshirjes së Rusisë në Sirinë fqinje. Ai u qëllua për vdekje nga policia në vend të ngjarjes, raporton Reuters.

Putin do të shkojë në Turqi në një vizitë dyditore të martën dhe do të takojë Presidentin Tayyip Erdogan dhe presidentin iranian Hassan Rouhani. Këto tre vende janë garantues të bisedimeve të paqes në Astana që kanë krijuar zona “de-eskalimi” përgjatë Sirisë së pushtuar nga lufta, transmeton Koha.net.

Erdogani tha se lëvizja e Gylenit ka qenë prapa vrasjes, akuzë të cilën kleriku e ka hedhur poshtë. Erdogani po ashtu akuzon rrjetin e klerikut për një tentim puçi korrikun e vitit 2016.

Gyleni, që ka jetuar jetën e tij të imponuar në ekzil në SHBA që nga viti 1999, ka mohuar akuzat dhe ka dënuar grushtshtetin.

“Haberturk” thotë se autoritetet urdhëruan arrestimin e tetë të dyshuarve pasi “vrasja është kryer nën urdhrat e tyre”.

Artikuj të ngjashëm