Turqia ka njoftuar se ka kryer një mori sulmesh ajrore ndaj rebelëve kurdë në Irakun verior, disa orë pasi një shpërthim vetëvrasës goditi Ministrinë e Brendshme.
Qeveria ka njoftuar se 20 objektiva u shkatërruan dhe shumë militantë nga grupi rebel i ndaluar PKK u neutralizuan.
Partia kurde ka njoftuar se shpërthimi i së dielës në kryeqytetin Ankara u krye nga një grup i lidhur me ta, një anëtar i të cilit hodhi veten në erë. E sulmuesi i dytë u vra nga policia, ndërsa dy policë u lënduan gjatë sulmit.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) konsiderohet grup terrorist nga Turqia, BE-ja, Britania e Madhe dhe SHBA-ja. Sulmet ajrore të së dielës kishin në shënjestër shpella, depo dhe bunkerë të përdorur nga PKK-ja, ka treguar Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Agjencia kurde e lajmeve Rudaw ka njoftuar se sulmet kishin në shënjestër malin Kandil pranë kufirit iranian, që besohet të jetë një bastion i PKK-së.
Sulmet u kryen pas një shpërthimi në bulevardin “Ataturk” të Ankarasë, që ndodhi disa orë përpara se Parlamenti të mblidhej sërish pas një pushimi veror.