Qindra mijëra iranianë u mblodhën të premten në një tubim të organizuar nga qeveria, duke shprehur gatishmërinë për të marrë armët pas muajsh lufte.
Bëhet fjalë për demonstratën më të madhe të këtij lloji që nga sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në shkurt, raporton AP.
Qeveria iraniane ka kërkuar të mobilizojë qytetarët dhe të theksojë unitetin kombëtar, ndërsa ekonomia po përkeqësohet për shkak të bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane dhe sanksioneve të reja të SHBA-së, të cilat synojnë të shtojnë presionin ekonomik ndaj Teheranit.
Numri i personave që janë regjistruar për të marrë trajnim të kufizuar ushtarak dhe për të mbrojtur vendin ndryshonte sipas vlerësimeve. Fushata është quajtur “Janfaday-e Iran”, ose “ata që sakrifikojnë jetën për Iranin”. Vullnetarët marshuan në qendër të Teheranit, të veshur me uniforma ushtarake dhe duke mbajtur flamuj, ndërsa turma i duartrokiste.
Për disa ditë, mediat shtetërore kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në këtë fushatë, duke njoftuar se trajnimi me pushkë sulmi do të nisë së shpejti.
Vullnetarët do të shërbejnë si një shtresë shtesë sigurie krahas Gardës Revolucionare, forcës së fuqishme paraushtarake të Iranit, dhe krahut të saj me vullnetarë, Basij.
Shefi i Gardës në Teheran, gjenerali Hassan Hassanzadeh, tha për transmetuesin shtetëror se më shumë se 600 mijë persona ishin regjistruar për të marrë pjesë, ndërsa pritet që më shumë se 1 milion njerëz të përfshihen në trajnim.
Të premten në mëngjes, transmetuesi shtetëror vlerësoi se më shumë se 300 mijë persona ndodheshin në rrugët e kryeqytetit.
Kreu i ri i Basijit, Hossein Taeb, deklaroi në një fjalim në nisje të tubimit se vullnetarët do të jenë të gatshëm për “mbrojtje të plotë” dhe se tubime të ngjashme do të zhvillohen së shpejti edhe në qytete të tjera.
Taeb shtoi se pjesëmarrësit e rinj në trajnim do të bëhen “makth” për armiqtë e Iranit.
Në marshim ishin të pranishëm presidenti Masoud Pezeshkian, komandantë ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Disa pjesëmarrës shkelën mbi flamujt e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ndërsa të tjerë brohoritën “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”.
“Jam këtu për t’i thënë Trumpit se ne iranianët nuk kemi frikë nga kërcënimet e tij ndaj atdheut tonë. Askush në histori nuk ka mundur ta pushtojë Iranin dhe të qëndrojë atje”, tha 24-vjeçarja Marzieh Afaghi, e cila mori pjesë në tubim me bashkëshortin dhe fëmijën e saj të vogël.
Tubimi shërbeu gjithashtu për ekspozimin e pajisjeve ushtarake iraniane. Në rrugë u shfaqën sisteme kundërajrore, ndërsa pjesëtare të Gardës, me shami të zeza në kokë, qëndronin pranë mitralozave të montuar në kamionë.
Garda shfaqi edhe dronë që janë përdorur gjerësisht kundër anijeve në Ngushticën e Hormuzit, ku Irani ka deklaruar kontrollin që nga fillimi i luftës. Kjo ka ndikuar rëndë në transportin e naftës dhe gazit natyror nga rajoni i Gjirit drejt pjesës tjetër të botës.