Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Shtetet e Bashkuara i kanë intensifikuar sulmet ndaj Iranit herët të enjten, duke goditur objektiva më në veri, ndërsa forcat amerikane hapën gjithashtu zjarr ndaj një anijeje që akuzohej se po përpiqej të thyente bllokadën detare ndaj Republikës Islamike. 

Irani është kundërpërgjigjur me sulme raketore dhe me dronë ndaj Bahreinit, Jordanisë dhe Kuvajtit para agimit.

Ditët e sulmeve të ndërsjella midis SHBA-së dhe Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme, si dhe kërcënimet e reja për Ngushticën e Hormuzit, e kanë dëmtuar marrëveshjen e përkohshme për t'i dhënë fund luftës me Iranin dhe mund ta çojnë rajonin sërish drejt një lufte gjithëpërfshirëse. 

Zyrtarët iranianë thonë tashmë se sulmet amerikane kanë vrarë më shumë se 35 persona dhe kanë plagosur mbi 300 të tjerë. Sulmet arritën gjithashtu në zonat përreth kryeqytetit të Iranit, Teheranit, për herë të parë gjatë këtij rundi të fundit të dhunës.

Kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt, Teherani praktikisht e mbylli ngushticën për trafikun deta, veprim që bëri që çmimet e naftës, plehrave kimike dhe shumë mallrave të tjera të rriteshin në mënyrë drastike, duke tejkaluar kufijtë e rajonit dhe duke i dhënë Iranit një avantazh të madh në negociata.

Këto çmime në rritje përbëjnë një sfidë të veçantë për presidentin amerikan, Donald Trump dhe Partinë e tij Republikane, e cila shpreson të ruajë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e nëntorit.

Megjithatë, Uashingtoni ka hasur vështirësi në rihapjen me sukses të rrugës ujore, gjë që e shtyu Trumpin të rivendoste bllokadën detare të mërkurën.

Kryetari i parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor, Mohammad Bagher Qalibaf, ka deklaruar se Irani është i përgatitur për një konfrontim ushtarak më të gjerë nëse SHBA-ja nuk iu përmbahet kushteve të marrëveshjes së përkohshme, ndërsa Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit ka kërcënuar se do të ndalonte të gjitha eksportet e energjisë nga Lindja e Mesme për shkak të bllokadës.

"Eksporti i naftës dhe gazit nga rajoni do të jetë ose për të gjithë, ose për askënd”, ka deklaruar Garda.

Trumpi ka këmbëngulur sërish se Irani ishte gati të arrinte një marrëveshje paqeje, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

"Atyre nuk u pëlqen ajo që po bëjmë dhe duan të arrijnë një marrëveshje. Do të shohim nëse do të arrijmë marrëveshje me ta apo thjesht do t'i japim fund gjithçkaje”, ka thënë ai të mërkurën në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë së SHBA-së në Pensilvani. 

Trumpi ka deklaruar veçmas në rrjetet sociale se Teherani kishte bërë një gjest vullneti të mirë duke liruar një shtetase amerikane, e cila mbahej padrejtësisht në paraburgim në Iran që nga viti 2024. Ai nuk ka dhënë detaje të mëtejshme. 

Avokati i të drejtave të njeriut, Jared Genser, ka publikuar një deklaratë ku identifikonte të ndaluarën si klienten e tij, Dena Karari, një shtetase amerikano-iraniane që drejton një organizatë jofitimprurëse dhe ishte akuzuar për spiunazh.

Irani u kërkon Houthëve të përgatiten për mbylljen e Detit të Kuq

1 muaj më parë / 16 kor 2026 14:47
Houthi

Irani i ka kërkuar lëvizjes Houthi në Jemen të jetë e gatshme të mbyllë rrugën detare të naftës në Detin e Kuq nëse Shtetet e Bashkuara godasin infrastrukturën energjetike iraniane, kanë thënë të enjten për Reuters tri burime, duke ngritur një kërcënim të ri serioz për furnizimet globale me energji.

Sipas dy burimeve të larta iraniane dhe një burimi rajonal të njohur me çështjen, ideja është diskutuar brenda udhëheqjes së Republikës Islamike dhe mesazhi u është përcjellë aleatëve Houthi të Iranit.

Burimet kanë thënë se Houthit janë njoftuar së fundmi për këtë kërkesë të Teheranit, e cila nuk ishte raportuar më parë.

Ata nuk kanë dhënë hollësi se si ishte përcjellë mesazhi apo nëse kjo ndodhi pas kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump, të martën, për të sulmuar infrastrukturën energjetike të Iranit.

Një burim pranë Houthive ka thënë se grupi ka përfunduar përgatitjet për të sulmuar anijet tregtare, duke vendosur raketa dhe dronë pranë ngushticës Bab el-Mandeb, hyrja jugore e Detit të Kuq, në zonat malore të Jemenit që mbikëqyrin Hodeidahun dhe Gjirin e Adenit, dhe tani pret vetëm urdhrin për të nisur operacionin.

Çdo kërcënim ndaj Detit të Kuq dhe ngushticës Bab el-Mandeb rrezikon të përkeqësojë ndjeshëm krizën globale të energjisë, e cila është shkaktuar tashmë nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, duke theksuar rreziqet e mëdha që sjell përshkallëzimi i ri i konfliktit.

Teksa Ngushtica e Hormuzit tashmë është e mbyllur, çdo sulm i Houthive ndaj anijeve ose porteve në Detin e Kuq do të bënte që dy rrugët kryesore të eksportit të naftës nga Lindja e Mesme të ndërpriteshin njëkohësisht, duke hapur një front të ri si në krizën energjetike ashtu edhe në konfliktin më të gjerë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas burimit pranë Houthive, përfaqësues të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), të cilët ndodhen tashmë në Jemen, do të marrin vendimin se kur do të mbyllet ngushtica Bab el-Mandeb.

Në një tjetër shenjë të përshkallëzimit të tensioneve në rajon, Houthit kanë lëshuar raketa drejt Arabisë Saudite pasi akuzuan mbretërinë se kishte bombarduar të hënën një aeroport nën kontrollin e tyre, duke i dhënë fund armëpushimit katërvjeçar mes palëve.

Vance: Disa në qeverinë izraelite duan që SHBA-ja ta mbajë luftën me Iranin në vazhdimësi

1 muaj më parë / 16 kor 2026 12:04
JD Vance

Photo: Associated Press

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka thënë se disa anëtarë të qeverisë izraelite janë përpjekur të ndikojnë opinionin publik amerikan për të kundërshtuar marrëveshjen e arritur nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës me Iranin. 

Vance i ka bërë këto komente në një episod të podcastit të Joe Rogan, të publikuar të mërkurën.

Deklaratat e tij pasqyrojnë kritikat e mëparshme që Vance ka bërë ndaj politikave të qeverisë izraelite.

Shumë e konsiderojnë atë një kandidat të mundshëm për president në të ardhmen, ndërsa këto komente nxjerrin në pah një përçarje gjithnjë e më të dukshme publike mes dy vendeve.

Vance ka mbrojtur marrëveshjen e arritur muajin e kaluar për t'i dhënë fund luftës me Iranin.

Marrëveshja është kritikuar në SHBA dhe Izrael, pasi sipas kritikëve nuk arrin të kufizojë programin raketor të Iranit dhe nuk ofron një plan të qartë për çmontimin e objekteve bërthamore iraniane, ndërsa në të njëjtën kohë kufizon Izraelin në luftën e tij kundër militantëve të Hezbollahut në Liban.

"E di pa asnjë dyshim se ka pasur njerëz brenda qeverisë izraelite që janë përpjekur të na largojnë nga kjo politikë, sepse duan të vazhdojnë fushatën ushtarake”, ka thënë Vance.

Ai ka shtuar se megjithëse ka "marrëdhënie të mira" me disa anëtarë të qeverisë izraelite, "ka njerëz brenda sistemit të tyre për të cilët e dimë pa asnjë dyshim se po manipulojnë dhe po përpiqen të ndryshojnë opinionin publik amerikan për ta mbajtur luftën në vazhdimësi, pa afat”.

Vance ka thënë po ashtu se shumë vende, si aleate ashtu edhe kundërshtare të SHBA-së, përpiqen të ndikojnë politikën amerikane.

"Nuk më shqetëson që Izraeli përpiqet ta bëjë këtë. Sinqerisht, nuk më shqetëson as që Rusia apo vende të tjera përpiqen ta bëjnë. Kjo është thjesht natyra e të qenit një udhëheqës politik në vitin 2026. Ajo që më shqetëson është kur këto operacione dhe këto fushata ndikimi arrijnë të ndikojnë në gjykimin politik amerikan”, ka thënë Vance.

Në qershor, zëvendëspresidenti ka kritikuar kritikët izraelitë të marrëveshjes me Iranin, duke deklaruar se presidenti Donald Trump është aleati i vetëm i Izraelit. Ai e ka shoqëruar këtë kritikë me një kujtesë për miliardat e dollarëve ndihmë ushtarake që SHBA-ja i jep Izraelit.

Zyrtarë të lartë izraelitë, duke folur në kushte anonimiteti, kanë deklaruar se kushtet e marrëveshjes janë të pafavorshme për Izraelin, sepse nuk adresojnë shqetësimet lidhur me programin bërthamor

dhe raketat balistike të Iranit. Sipas tyre, ky qëndrim ndahet gjerësisht nga udhëheqja izraelite.

I pyetur nëse beson se SHBA-ja do të ishte përfshirë në luftën më të fundit me Iranin po të mos kishte qenë ndikimi i Izraelit, Vance është përgjigjur se e beson.

"Mendoj se presidenti, pavarësisht çdo ndikimi nga Izraeli, beson fuqimisht, dhe unë jam dakord me këtë, se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore”, ka thënë Vance.

Irani paralajmëron se Ngushtica e Hormuzit është "vijë e kuqe" për të

1 muaj më parë / 16 kor 2026 11:07
Ngushtica e Hormuzit

Irani ka paralajmëruar të enjten se Ngushtica e Hormuzit është një "vijë e kuqe" e paprekshme, duke paralajmëruar se nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të zbatonte kërcënimin e tij për të sulmuar infrastrukturën e Iranit, Teherani do të godiste të gjithë infrastrukturën në të gjithë rajonin e Gjirit.

SHBA-ja ka kryer sulme edhe në natën e pestë dhe ka rivendosur bllokadën detare të porteve të Iranit, me të cilën Uashingtoni thotë se synon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, e mbyllur nga Irani të shtunën e kaluar pasi armëpushimi i brishtë u prish.

Pas sulmeve të së mërkurës mbrëma, negociatori kryesor i Teheranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, përmes një deklarate ka theksuar se Irani është në një luftë thelbësore dhe ekzistenciale me Amerikën.

Zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Gjenerali i Brigadës, Mohammad Akraminia, ka thënë të enjten se Ngushtica e Hormuzit, e cila transportonte rreth një të pestën e dërgesave globale të naftës dhe gazit para luftës, ishte një "vijë e kuqe" për Iranin, mbi të cilën ai mban kontroll të fortë.

"Amerikanët menduan se duke sulmuar disa nga bazat tona në brigjet jugore të vendit, ata mund të merrnin kontrollin e kësaj ngushtice strategjike", ka thënë Akraminia.

"Megjithatë, Republika Islamike e Iranit ka aftësinë të ushtrojë kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit nga çdo pikë e territorit të saj, dhe kjo çështje nuk varet kurrë nga brigjet dhe ishujt", ka shtuar ai. 

Tre zyrtarë amerikanë i kanë thënë Reuters se sulmet amerikane që synojnë hapjen me forcë të ngushticës, po synojnë gjithashtu kapacitetet ushtarake iraniane që SHBA-ja do të donte t'i shkatërronte përpara se të kryenin operacione më komplekse.

E zëdhënësi ushtarak i Iranit ka thënë se e vetmja mënyrë për të rihapur Ngushticën e Hormuzit ishte që SHBA-ja të përmbushte memorandumin e mirëkuptimit prej 14 pikash që të dy palët nënshkruan në qershor, dhe zbatimin e "rregulloreve iraniane" në lidhje me trafikun e anijeve në ngushticë.