Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, e mbështeti tubacionin dhe udhëheqësi i ri i vendit, Olaf Scholz, bëri të njëjtën gjë, përderisa ishte ministër i Financave. Por Qeveria e tij filloi të distancohej pasi partia e të Gjelbërve iu bashkua koalicionit qeverisës. Pozicioni i fushatës së të Gjelbërve ishte se tubacioni i karburanteve fosile nuk ndihmon në luftimin e ngrohjes globale dhe zvogëlon interesat strategjike të BE-së.
Tubacioni është ndërtuar dhe po mbushet me gaz natyror. Por tubacioni i Rusisë "Nord Stream 2" po përballet me disa vështirësi sa i përket arritjes së gazit në Gjermani, pasi që liderët e rinj janë skeptik ndaj projektit dhe tensionet po rriten për shkak të grumbullimit të trupave ruse në kufirin ukrainas.
Tubacioni, tashmë i kundërshtuar nga Ukraina, Polonia dhe SHBA-ja, pret miratimin e Gjermanisë dhe të Bashkimit Evropian për të anashkaluar shtetet e tjera dhe të fillojë sjelljen e gazit natyral direkt në Evropë. Përballja e kontinentit me mungesë të naftës ka shkaktuar rritjen e çmimeve, nxitjen e inflamacionit dhe frikë në atë që do të ndodhë nëse ulen furnizimet me gaz.
Shtetet e Bashkuara kanë theksuar shënjestrimin e tubacionit rus si mënyrë kundërshtimi të lëvizjeve ushtarake ruse kundër Ukrainës dhe projekti tashmë po përballet me pengesa ligjore dhe burokratike. Ndërsa liderët evropianë dhe amerikanë diskutojnë se si të merren me presionin e Rusisë ndaj Ukrainës, kundërshtimet e vazhdueshme politike, veçanërisht nga anëtarët e BE-së, si Polonia, i shtojnë një sfidë njërit prej projekteve kyç të presidentit rus, Vladimir Putin.
Pozicioni gjerman
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, e mbështeti tubacionin dhe udhëheqësi i ri i vendit, Olaf Scholz, bëri të njëjtën gjë, përderisa ishte ministër i Financave. Por Qeveria e tij filloi të distancohej pasi partia e të Gjelbërve iu bashkua koalicionit qeverisës. Pozicioni i fushatës së të Gjelbërve ishte se tubacioni i karburanteve fosile nuk ndihmon në luftimin e ngrohjes globale dhe zvogëlon interesat strategjike të BE-së.
Zëvendëskancelari i ri gjerman, Robert Habeck, dhe ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, kanë thënë se projekti nuk i plotëson rregullat e BE-së kundër monopolit.
"Tubacioni rus ishte një gabim gjeopolitik", ka thënë Habeck së fundi për gazetën Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung. " Çështja është e hapur nëse tubacioni do të fillojë të operojë”, duke shtuar se "sulmi" i mëtejshëm do të thotë "që mundësitë janë akoma të hapura".
Zyrtarët nuk kanë thënë asgjë mbi sanksionet që mund të përdoren, përveç sanksioneve ekzistuese të SHBA-së kundër anijeve të lidhura me projektin.
Si kancerlar, Scholz ka qenë i matur në komentet e tij dhe nuk është e qartë nëse është i gatshëm të flasë hapur sikurse sekretari i SHBA-së, Antony Blinken, i cili ka thënë se është "gati e pamundur" të fillojë qarkullimi i gazit nëse Rusia vazhdon sulmin ndaj Ukrainës.
Nën mundësinë se një pushtim do të ndalonte tubacionin, zv.zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Wolfgang Buechner, ka thënë se tubacioni Rus është "një sipërmarrje e një biznesi privat" dhe se miratimi administrativ "nuk ka përmasa politike". Ai theksoi se sulmi ushtarak do të kishte "kosto dhe sanksione të larta", pa thënë se cilat mund të jenë ato.
Scholz "asnjëherë nuk i bën gjërat plotësisht të qarta", ka thënë Stefan Meister, ekspert i politikës ruse të energjisë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet e Jashtme. "Pra, nuk jam i sigurt se në cilat kushte ai do të pranonte vërtet ta ndalonte tubacionin."
Lidhja direkte
Tubacioni do të dyfishonte vëllimin e gazit nga korporata e energjisë "Gazprom" në Rusi direkt në Gjermani, duke shtuar një tubacion të ngjashëm nën Detin Baltik dhe duke anashkaluar lidhjet ekzistuese përmes Polonisë dhe Ukrainës. "Gazprom" tregon se do të mundësonte furnizim afatgjatë dhe do të ndihmonte në kursimin e miliardave në tarifat e tranzicionit, që paguan në Poloni dhe Ukrainë. "Gazprom" thotë se tubacioni është pjesë e korporatës si një furnizues afatgjatë i energjisë për Evropën dhe se varet edhe nga importet e gazit natyror.
Kritikët thonë se tubacioni rrit përparësinë e Rusisë mbi Evropën, vë vendet anëtare kundër njëri-tjetrit dhe privon Ukrainën nga mbështetja kryesore financiare. Evropa hyri në dimër me rezerva të pakta gazi që i kanë çuar çmimet në rritje në tetë herë më shumë sesa ishin në fillim të vitit, ndërkaq Putin po e përdor këtë krizë për të arritur miratimin përfundimtar të projektit.
"Gazprom" nuk e shiti gazin përtej kontratave afatgjate këtë verë, duke rritur më tej shqetësimin për motivet ruse. Analistët thonë se tubacionet ekzistuese kanë kapacitet të mjaftueshëm që "Gazprom" të ketë dërguar më shumë, por fillimisht ka mbushur rezervat e brendshme.
Për momentin, procesi i miratimit të tubacionit është në pritje. Drejtuesit gjermanë thonë se mund të miratojnë vetëm një kompani të krijuar atje, kështu që tubacioni rus me bazë në Zvicër, në pronësi të një ndihmësi të "Gazprom", po krijon një mundësi për Gjermaninë. Vendimi nuk pritet as në gjysmën e parë të vitit 2022. Komisioni ekzekutiv i Bashkimit Evropian duhet të shqyrtojë projektin.
Analistët thonë se këto vendime janë ligjore e që nuk i nënshtrohen politikës.
Kritikët thonë se tubacioni rus nuk përmbush një kërkesë të BE-së për të ndarë furnizuesin e gazit nga operatori i tubacionit për të parandaluar një monopol që mund të dëmtojë konkurrencën dhe të sjellë çmime më të larta për konsumatorët.
"Nord Stream" ka thënë se “ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar pajtim me rregullat në fuqi” dhe ka leje nga katër vendet e BE-së nëpër të cilat kalon.
Kundërshtimet e Polonisë
Edhe nëse tubacioni është në pajtim me rregullat, mbeten akoma dyshime për shkak të kundërshtimit të Polonisë. Anëtarët e BE-së mund të padisin në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë nëse nuk pajtohen me rregullat, ka thënë Alan Riley, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Atlantik dhe një avokat i specializuar në çështjet evropiane të antitrustit dhe energjisë. Rregullat antimonopol të BE-së mund të sjellin vite të tëra procesesh gjyqësore, madje edhe një vendim që ndalon përkohësisht operimet e tubacionit derisa të merret një vendim.
"Kjo mund të vazhdojë për ca kohë”, ka thënë Riley. “Miratimi përfundimtar" nuk do të arrihet lehtë”, ka shtuar ai.
Konstantin Kosachev, një nënkryetar i Parlamentit rus, shprehu keqardhje për pengesat "artificiale" kundër nisjes së tubacionit. Ndërsa disa argumentojnë se Evropa është bërë më e varur nga gazi rus, vendi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij, ka thënë ai.
"Kundërshtarët e projekteve të gazit nga Rusia dhe vendet e BE-së nuk kanë frikë se furnizimet ruse do të dështojnë, por e kundërta, se të gjitha problemet do të zgjidhen, duke mos lënë asnjë mundësi për të akuzuar Moskën për qëllime të gabuara ose përdorimin e energjisë si armë", ka thënë Kosachev.
Kompania ukrainase e energjisë " Naftogaz" akuzoi Gazpromin e Rusisë në një ankesë të BE-së për "abuzim me pozitën e saj dominuese në tregun evropian të gazit". Kompania pretendoi në një deklaratë të mërkurën se Gazprom synonte të krijonte "një deficit artificial gazi" për t’i bërë presion Evropës në miratimin e tubacionit.
Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, vuri në dukje se Gjermania e ka trajtuar tubacionin si një projekt thjesht komercial, duke shpresuar se procesi i certifikimit do të largohet nga politika.
“Ne vetëm duhet të jemi të durueshëm”, ka thënë Peskov, duke shtuar se operatori i tubacionit është i gatshëm të përmbushë kërkesat dhe rregulloret gjermane. “Shpresojmë që projekti të certifikohet sa më shpejt.”
Edhe nëse tubacioni nuk miratohet, ia ka vlejtur për qëllimet gjeopolitike të Kremlinit, sepse ka shkaktuar ndarje midis anëtarëve të BE-së dhe midis Gjermanisë, BE-së dhe SHBA-së, ka thënë Meister i Këshillit Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme.
“Pa funksionuar akoma, tubacioni tashmë ka ndihmuar Kremlinin”, ka thënë ai. “Politika dhe siguria gjithmonë mbizotërojnë ekonominë në Rusi”.
Përktheu: Kaltrina Selimi