Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka pezulluar procesin e certifikimit për gazsjellësin e gazit natyror “Nord Stream 2” pasi që Rusia ka njohur rajonet e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën Lindore.
Gazsjellësi nënujor e lidh drejtpërdrejt gazin rus me Evropën përmes Gjermanisë dhe është i kompletuar, por ende nuk është në funksion. Është bërë targeti kryesor, pasi që qeveritë perëndimore po përpiqen të ushtrojnë fuqi mbi Rusinë për të penguar lëvizjet ushtarake kundër fqinjit të saj.
Më poshtë gjeni pikat kryesore për të kuptuar më shumë rreth gazsjellësit:
Çka është “Nord Stream 2”?
Është një gazsjellës i gazit natyror me gjatësi prej 1230 km dhe gjendet nën Detin Baltik, duke filluar nga Rusia deri në bregun baltik gjerman.
Shtrihet paralelisht me një gazsjellës më të hershëm të “Nord Stream” dhe do të dyfishonte kapacitetin deri në 110 miliardë metra kub gaz në vit. Kjo do të thotë që “Gazprom” mund t’i dërgojë gaz sistemit të gazsjellësve të Evropës pa përdorur tubacionet që shtrihen në Ukrainë dhe Poloni.
Gazsjellësi është mbushur më gaz, por ka qenë në pritje të aprovimit nga Gjermania dhe Komisioni Evropian.
Si po i bllokon Scholzi tubacionet?
Rregullatori gjerman i shërbimeve publike po i kontrollonte gazsjellësit në pajtueshmëri me rregulloret evropiane për konkurrencë të barabartë. Ky është ai proces aprovimi që Scholz tha të martën që po e pezullonte.
Gjermanisë iu kërkua ta dorëzojë raportin se si gazsjellësit do ta ndikonin sigurinë energjetike dhe Scholz tha që raporti po tërhiqej.
Pse Scholz po ndërmerr hapa tani?
Scholzi, që mori pushtetin në dhjetor, mbështeti projektin si ministër i Financave, ndërkaq Angela Merkel dhe Partia Socialdemokrate e përkrahën atë. Pasi që Rusia rriti numrin e ushtarëve afër kufirit me Ukrainën, Scholz iu shmang referimit të “Nord Stream 2”, edhe pse zyrtarët amerikanë thanë që nuk do të shkonte para nëse Rusia e pushton Ukrainën.
Por Scholz paralajmëroi që Rusia do të përballej me “pasoja të rënda” dhe që sanksionet duhen të jenë gati para kohe. Gjermania ka rënë dakord me SHBA-në për të vepruar kundër “Nord Stream 2” nëse Rusia përdor gazin si mjet për ta sulmuar Ukrainën.
Të martën kancelari tha që njohja e pavarësisë së zonave të kontrolluara nga rebelët në Ukrainë nga Rusia shënon një “shkelje serioze të ligjeve ndërkombëtare” dhe që ishte e nevojshme “t’i dërgohej Moskës një shenjë e qartë që veprime të tilla nuk do të ngelin pa pasoja”.
Pse i do Rusia gazsjellësit?
Gjigandi shtetëror i gazit “Gazprom” thotë se do ta plotësojë nevojën në rritje të Evropës për gaz natyror të përballueshëm dhe do të plotësojë gazsjellësit ekzistues përmes Bjellorusisë dhe Ukrainës.
“Nord Stream 2” do të ofronte një alternativë për sistemin e vjetër të Ukrainës që sipas “Gazprom-it” ka nevojë për rinovime, shpenzime më të vogla duke kursyer tarifat e transitit të paguara në Ukrainë dhe për të shmangur episode si ndërprerjet e shkurtra të viteve 2006 dhe 2009 për shkak të mosmarrëveshjeve të çmimeve dhe pagesave në mes të Ukrainës dhe Rusisë.
Evropa është tregu kryesor për “Gazprom”, shitjet e të cilit e mbështesin buxhetin e Qeverisë ruse. Evropa ka nevojë për gaz, sepse po i zëvendëson qymyrin dhe centralet bërthamore të dekomisionuara përpara se burimet e energjisë së ripërtëritshme si era dhe dielli të ndërtohen mjaftueshëm.
Pse SHBA-ja është kundër “Nord Stream 2”?
Shtëpia e Bardhë mbajti “konsultime me Gjermaninë” dhe i mirëpriti njoftimet e tyre, shkroi në Twitter të martën sekretarja e shtypit, Jen Psaki.
SHBA-ja, aleatët evropianë të NATO-s si Polonia dhe Ukraina kanë kundërshtuar që projekti të kthehet para administrimit të Bidenit, duke shtuar që kjo e rrit varësinë e Evropës ndaj gazit rus dhe i jep Rusisë mundësinë e përdorimit të gazit si një armë gjeopolitike. Evropa e importon pjesën më të madhe të gazit, ku afërsisht 40% e saj importohet nga Rusia.
Gazsjellësi, që shkoi para nën drejtimin e Merkelit, ka qenë irritues në marrëdhëniet SHBA-Gjermani. Bideni hoqi dorë nga sanksionet kundër operatorit të gazsjellësit kur pothuajse ishte përfunduar në këmbim të një marrëveshjeje nga Gjermania për të ndërmarrë veprime kundër Rusisë nëse ajo e përdor gazin si armë ose e sulmon Ukrainën.
Në Kongres, Republikanët dhe Demokratët - në një marrëveshje të rrallë - kanë kundërshtuar qe një kohë të gjatë “Nord Stream 2”.
Dimri pa gaz
Jo. Edhe para veprimeve të Scholz-it, rregulloret e bëjnë të qartë që procesi i aprovimit nuk mund të përfundohej në gjysmën e parë të vitit. Kjo do të thotë që gazsjellësit nuk do t’i plotësonin nevojat e ngrohjes dhe energjisë elektrike këtë dimër pasi që kontinenti po përballet më mungesë të gazit.
Kjo mungesë ka rritur shqetësimin rreth mbështetjes në gazin rus. Rusia ndali shitjet afatshkurtra - edhe pse ka përmbushur kontrata afatgjata me konsumatorë evropianë - dhe nuk arriti ta mbushë depon e saj nëntokësore në Evropë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha që mungesa e gazit shënon nevojën për një aprovim të shpejtë për “Nord Stream 2”, duke rritur shqetësimet rreth përdorimit të gazit nga Rusia për të fituar fuqi ndaj Evropës.
Mundësia e hakmarrjes
Përderisa Evropa ka nevojë për gazin rus, “Gazprom” gjithashtu ka nevojë për tregun evropian. Kjo ndërvarësi është arsyeja pse shumë njerëz mendojnë që Rusia nuk do t’ia ndërpresë Evropës furnizimet me gaz dhe zyrtarët rusë kanë theksuar që ata nuk kanë qëllime ta bëjnë atë.
Ndërkohë, kriza e Ukrainës, në krye të mungesës së gazit, tashmë u ka dhënë qeverive evropiane më shumë arsye për të gjetur gaz diku tjetër, si për shembull gaz natyror të lëngshëm, ose LNG, të sjellin me anije nga SHBA-ja, Algjeria dhe nga vende të tjera.
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, ka shprehur në Twitter pakënaqësinë e tij ndaj vendimit të Gjermanisë për suspendimin e “Nord Stream 2”: “Mirë se vini në botën e re të guximshme ku evropianët shumë shpejt do të paguajnë 2000 euro për 1000 metra kub të gazit natyror”!
Në Evropë, çmimi i gazit në treg ishte 829 euro për 1000 metra kub të martën. Në fund të dhjetorit çmimi ishte 1743 euro në mes shqetësimeve për krizën e Ukrainës dhe çmimet kanë rënë që atëherë, pasi Evropa ka siguruar më shumë LNG. / Analizë e “Associated Press”
Përktheu: Shukrie Sadiku