Botë

Thellohet skandali me videon që shfaq keqtrajtimin e një palestinezi, arrestohet ish-avokatja e ushtrisë izraelite

Izrael

Ish-avokatja e lartë në ushtrinë izraelite është arrestuar, në kulmin e thellimit të përçarjes politike si pasojë e rrjedhjes së një videoje që dyshohet se tregon abuzim të rëndë të një të ndaluari palestinez nga ushtarët izraelitë.

Gjeneralmajorja Yifat Tomer-Yerushalmi ka dhënë dorëheqjen si Avokate e Përgjithshme Ushtarake e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) javën e kaluar, duke thënë se merrte përgjegjësinë e plotë për rrjedhjen e informacionit.

Të dielën, historia mori një kthesë më të errët kur ajo u raportua si e zhdukur, teksa policia nisi një kërkim disa orësh për të në një plazh në veri të Tel Avivit.

Më pas ajo është gjetur e gjallë dhe mirë, ka thënë policia, duke shtuar se ajo është dërguar në paraburgim.

Pasojat nga videoja e rrjedhur po intensifikohen çdo ditë.

Transmetuar në gusht 2024 në një kanal lajmesh izraelit, pamjet tregojnë ushtarë rezervë në bazën ushtarake Sde Teiman në Izraelin jugor duke marrë mënjanë një të ndaluar, pastaj duke e rrethuar atë me mburoja kundër trazirave për të bllokuar dukshmërinë ndërsa ishte rrahur dhe goditur në rektum me një objekt të mprehtë.

I ndaluari më pas është trajtuar për lëndime të rënda.

Pesë rezervistë u akuzuan më pas për abuzim të rëndë dhe shkaktim të lëndimeve të rënda trupore ndaj të ndaluarit. Ata i kanë mohuar akuzat.

Të dielën, katër nga rezervistët kishin fshehur fytytra, ndërsa u shfaqën në një konferencë shtypi jashtë Gjykatës Supreme në Jerusalem së bashku me avokatët e tyre, të cilët kërkuan pushimin e rastit gjyqësor ndaj tyre.

Adi Keidar, një avokat nga organizata e ndihmës ligjore e krahut të djathtë Honenu, pretendoi se klientët e tij i ishin nënshtruar "një procesi ligjor të gabuar, të njëanshëm dhe plotësisht të sajuar".

Javën e kaluar, ka nisur një hetim penal për rrjedhjen e videos. Të premten, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz ka thënë se gjeneralja Tomer-Yerushalmi nuk do të lejohej të kthehej në postin e saj.

Menjëherë pas kësaj, gjeneralja Tomer-Yerushalmi ka dhënë dorëheqjen.
Në letrën e saj të dorëheqjes, ajo ka thënë se merrte përgjegjësi të plotë për çdo material që u publikua në media nga njësia.

"Aprovova publikimin e materialit në media në një përpjekje për të kundërshtuar propagandën e rreme kundër autoriteteve të zbatimit të ligjit të ushtrisë" ka thënë ajo.

Kjo është një referencë ndaj përpjekjeve të disa figurave politike të krahut të djathtë në Izrael për të pohuar se akuzat për abuzim të rëndë të të burgosurit palestinez ishin fabrikuar.

“Është detyra jonë të hetojmë sa herë që ka dyshime të arsyeshme për akte dhune kundër një të ndaluari”, ka shtuar ajo.

Pas dorëheqjes së saj, Katz ka lëshuar një dënim të ashpër për sjelljen e saj.

Kryeministri Benjamin Netanyahu i ka bërë jehonë fjalëve të ministrit të tij të Mbrojtjes të dielën, duke thënë se incidenti në Sde Teiman ishte "ndoshta sulmi më i rëndë i marrëdhënieve me publikun që shteti i Izraelit ka përjetuar që nga themelimi i tij”.

Orë më vonë, raportet e para filluan të shfaqeshin në mediat izraelite se gjeneralja Tomer-Yerushalmi ishte zhdukur, duke shkaktuar frikë se skandali politik kishte marrë një kthesë drejt tragjedisë.

Disa orë më vonë, ajo ishte gjetur "e sigurt dhe në shëndet të mirë" në zonën bregdetare të Herzliya, ka thënë policia izraelite.

Një zëdhënës i policisë njoftoi më pas se dy persona ishin arrestuar me dyshimin për "rrjedhje informacioni dhe vepra të tjera të rënda penale" si pjesë e një hetimi. Mediat izraelite raportuan se dyshja ishin gjeneralja Tomer-Yerushalmi dhe ish-kryeprokurori ushtarak, Kolonel Matan Solomosh.