Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi thotë se mund të takohet me Kim Jong-Un në Kinë

Donald Trump dhe Kim Jong u

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se mund të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë vizitës së tij në Kinë, duke shtuar se vendimi do të varet nga udhëheqësi kinez, Xi Jinping.

“Është e mundur që të kemi Kim Jong Unin. Ai mund të vijë. Nuk e di. Kjo varet nga presidenti Xi”, u ka thënë Trumpi gazetarëve të hënën, teksa po largohej nga Shtëpia e Bardhë.

Trumpi do të udhëtojë drejt qytetit Shenzhen të Kinës gjatë kësaj jave, për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve Ekonomikë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ku planifikon të zhvillojë bisedime trepalëshe me Xi Jinpingun dhe presidentin rus, Vladimir Putin.

Trumpi ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron të takohet me liderin e Koresë së Veriut. Koreja e Veriut nuk është anëtare e APEC-ut, ndërsa Kim Jong Un nuk ka konfirmuar ndonjë plan për të marrë pjesë në samit.

Gjatë një konference për media të martën, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, ka thënë se nuk kishte informacione nëse Kim do të merrte pjesë në takimin e APEC-ut këtë javë.

Megjithatë, zakonet e udhëtimit të Kim Jong Unit mund ta vështirësojnë organizimin e një takimi të papritur. Udhëheqësi koreano-verior njihet për udhëtimet me një tren të blinduar rëndë, i cili, sipas raportimeve, lëviz me një shpejtësi mesatare prej rreth 60 kilometrash në orë.

Shenzhen ndodhet më shumë se 1,600 kilometra larg kufirit të Koresë së Veriut.

Në vitin 2019, Kim kishte udhëtuar për dy ditë e gjysmë me tren nëpër Kinë për t'u takuar me Trumpin në Hanoi të Vietnamit.