Botë

Trumpi thotë se armëpushimi në Gazë nuk është në rrezik

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se armëpushimi në Gazë nuk është në rrezik, pavarësisht sulmeve ajrore të Izraelit të martën në mbrëmje, e të cilat kanë lënë të vdekur të paktën 60 persona, sipas autoriteteve palestineze.

Aeroplanët izraelitë kanë goditur me sulme enklavën, teksa Izraeli dhe Hamasin kanë fajësuar njëri-tjetrin për shkeljet e armëpushimit.

"Siç e kuptoj unë, ata vranë një ushtar izraelit," u ka thënë Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, rrugës për në Korenë e Jugut, në kuadër të turneut të tij pesëditor në Azi.

"Pra, izraelitët u kundërpërgjigjën dhe duhet të kundërpërgjigjen. Kur kjo të ndodhë, ata duhet të kundërpërgjigjen”, ka shtuar presidenti amerikan.

Ushtria izraelite ka konfirmuar vdekjen e ushtarit të mërkurën.

"Asgjë nuk do ta rrezikojë armëpushimin”, ka deklaruar Trumpi. 

“Duhet ta kuptoni që Hamasi është një pjesë shumë e vogël e paqes në Lindjen e Mesme dhe ata duhet të sillen mirë”.

Sulmet izraelite pasuan një deklaratë nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, e cila tha se ai kishte urdhëruar "sulme të fuqishme" të menjëhershme.

Një zyrtar ushtarak izraelit ka thënë se Hamasi kishte shkelur armëpushimin duke kryer një sulm kundër forcave izraelite që ishin të stacionuara brenda të ashtuquajturës “vijë e verdhë”, vija e vendosjes e rënë dakord në armëpushim.

Turqia ka reaguar të martën duke thënë se sulmet e ripërtërira të Izraelit në Gazë përbënin shkelje të armëpushimit dhe se qeveria izraelite duhet të shtyhet nga fuqitë botërore që t'i përmbahet plotësisht marrëveshjes dhe t'i japë fund "politikës së saj të gjenocidit".

Izraeli ka mohuar fuqimisht se veprimet e tij në Gazë përbëjnë gjenocid dhe thotë se ato justifikohen si vetëmbrojtje. Izraeli po lufton një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë që e akuzon atë për gjenocid.

Marrëveshja e armëpushimit e mbështetur nga SHBA-ja ka hyrë në fuqi më 10 tetor, duke ndaluar dy vjet luftë të shkaktuar nga sulmet vdekjeprurëse të udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Lexo përditësimet tjera
Gaza

Të paktën 60 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Të paktën 60 palestinezë, përfshirë fëmijë janë vrarë në një valë sulmesh izraelite në Gazë të...