Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi pyet se përse Irani nuk ka kapitulluar ende, thotë Witkoff

Steve Witkoff

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po vë në pikëpyetje pse Irani ende nuk ka “kapitulluar” përballë grumbullimit ushtarak të Uashingtonit në Lindjen e Mesme, ka thënë i dërguari i posaçëm i tij, Steve Witkoff.

Witkoff ka thënë për Fox News të shtunën se Trumpi është kureshtar për qëndrimin e Iranit, pasi ai kishte paralajmëruar për një goditje të kufizuar ushtarake nëse nuk arrihej një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

SHBA-ja dhe aleatët e saj evropianë dyshojnë se Irani po lëviz drejt prodhimit të një arme bërthamore, gjë që Teherani e mohon.

Ndërkohë, brenda Iranit, gjatë fundjavës u zhvilluan protesta kundër qeverisë në disa universitete, duke shënuar tubimet e para të kësaj përmase që nga shtypja vdekjeprurëse e janarit nga autoritetet, gjatë së cilës u vranë mijëra persona.

“Nuk dua të përdor fjalën ‘i zhgënjyer’... sepse ai e kupton që ka shumë alternativa, por është kureshtar pse ata nuk kanë... nuk dua të përdor fjalën ‘kapitulluar’, por pse nuk kanë kapitulluar”, ka thënë Witkoff.

Të martën e kaluar, zyrtarë amerikanë dhe iranianë zhvilluan bisedime indirekte në Zvicër me qëllim frenimin e programit bërthamor të Iranit, duke deklaruar se ishte arritur përparim.

Megjithatë, dy ditë më vonë, Trumpi ka thënë se bota do ta mësonte “brenda, ndoshta, 10 ditëve” nëse do të arrihej një marrëveshje me Iranin apo nëse SHBA-ja do të ndërmerrte veprime ushtarake.

Në javët e fundit, SHBA-ja ka rritur praninë e saj ushtarake pranë Iranit.

Vendosja përfshin anijen luftarake më të madhe në botë, USS Gerald R. Ford.

Gjithashtu është dislokuar edhe aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, së bashku me shkatërrues, anije luftarake dhe avionë luftarakë.