Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se pret që armëpushimi në Gazë të arrihet “brenda javës së ardhshme”.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të premten, ai e ka cilësuar të tmerrshme situatën në Gazë, por është shprehur optimist se së shpejti do të ketë armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.
“Mendoj se është afër. Sapo fola me njerëzit e përfshirë”, ka thënë presidenti amerikan. “Mendojmë se brenda javës së ardhshme do të arrijmë armëpushimin”.
Ai ka shtuar se SHBA-ja po furnizon Gazën me ndihma dhe ka bërë thirrje që edhe shtete të tjera të dërgojnë ndihma.
Deklarata e Trumpit vjen një ditë pas raportimit se ai dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, janë dakorduar për t’i dhënë fund luftës në Gazë brenda dy javësh dhe që Rripi i Gazës të përfshihet në një marrëveshje në të cilën shtete arabe do të bashkëqeverisnin enklavën.
Lufta në Gazë nisi kur militantët e Hamasit në tetor të 2023-s sulmuan Izraelin duke vrarë rreth 1200 persona e duke marrë një numër pengjesh. Izraeli nisi hakmarrjen dhe deri tash, sipas të dhënave të zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, nga sulmet në Gazë janë vrarë mbi 56 mijë persona.
-
Trump: Jemi shumë afër marrëveshjes për Gazën
-
Trump: Për 24 orë e kuptojmë nëse Hamasi e pranon propozimin për armëpushim
-
Trumpi thotë se Izraeli ka pranuar propozimin për armëpushim 60-ditor në Gazë
-
Trumpi përsërit thirrjet për armëpushim në Gazë
-
Trumpi shpreson që faza e dytë e armëpushimit në Gazë të arrihet “shumë shpejt”