Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi pëson tjetër goditje, bashkëpartiakët ia anashkalojnë veton

Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan ka tejkaluar veton e presidentit Donald Trump ndaj projektligjit prej 740 miliardë dollarësh për mbrojtjen, duke pasqyruar ndarjen në Partinë Republikane në fund të mandatit të Trumpit.

Me 322 vota pro dhe 87 kundër, 109 republikanë iu bashkuan demokratëve për të rrëzuar veton e presidentit. Fati i kësaj mase tani mbetet në dorë të Senati. Nëse Senati ndjek veprimin e Dhomës së Përfaqësuesve, do të jetë hera e parë që rrëzohet vetoja e Presidentit Trump në katër vjet të mandatit të tij.

Trumpi, që ka shprehur revoltën ndaj disa bashkëpartiakëve që përgëzuan si fitues të zgjedhjeve demokratin Joe Biden, ia vuri veton projektligjit të mërkurën duke thënë se dëshironte ta bllokonte sepse donte të anulonte mbrojtjen nga paditë ligjore që gëzojnë kompanitë e rrjeteve sociale. Ai kundërshtoi edhe klauzolën për të ndryshuar emrat e bazave ushtarake që kujtojnë gjeneralë që luftuan në emër të Konfederatës gjatë Luftës Civile.

Projektligji, i cili përfshin një numër klauzolash për politikat e mbrojtjes dhe një rritje rroge për trupat amerikane, është miratuar pa probleme çdo vit që nga 1961.