Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka vënë veto projektligjit për shpenzime në mbrojtje, që është miratuar në Kongres këtë muaj.
Ai vazhdon të kundërshtojë dispozitat që kufizojnë mundësinë e largimit të trupave amerikane nga Afganistani dhe Evropa, si dhe që të largojë emrat e liderëve të Konfederatave nga bazat ushtarake, njofton agjencia Reuters.
Nëse Kongresi nuk e përmbys veton e presidentit – që kërkon dy të tretat e shumicës në të dyja dhomat e Kongresit – kjo do të ishte hera e parë në 60 vjet që Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare nuk kthehet në ligj.
Trumpi e ka konsideruar këtë akt si “dhuratë për Kinën dhe Rusinë” përmes një deklarate.
“Fatkeqësisht Akti dështon që të përfshijë masa kritike të sigurisë kombëtare, përfshin dispozita që nuk respektojnë veteranët tanë, historinë tonë ushtarake dhe bie në kundërshtim me përpjekjet e administratës sime për ta vënë Amerikën të parën në sigurinë tonë kombëtare dhe në qëndrimin për politikë të jashtme”, ka thënë ai.