Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi anulon sulmet e reja ndaj Iranit

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se i ka anuluar sulmet kundër Iranit me kushtin që të arrihet një marrëveshje "e shpejtë" me këtë vend.

Në një postim në "Truth Social", presidenti amerikan ka pohuar se Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme i kërkuan të "përmbahej" nga çdo sulm, pasi ishin dakordësuar për "parametrat" e një marrëveshjeje. Sipas tij, kjo marrëveshje do të përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe dhënien fund të kërcënimit bërthamor të Iranit.

Komentet e tij pasuan raportimet e mediave amerikane se Uashingtoni ishte duke planifikuar sulme të reja dhe intensive ndaj Iranit gjatë fundjavës.

Të shtunën, Teherani ka akuzuar SHBA-në për përshkallëzim të tensioneve, duke deklaruar se çdo shtet rajonal që bashkëpunon me Uashingtonin do të "përfshihej nga flakët e luftës".

Ndërkohë, qeveria amerikane u ka bërë thirrje amerikanëve në mbarë Lindjen e Mesme të jenë vigjilentë dhe të gatshëm për t'u larguar "nëse do të ketë përshkallëzim" në rajon.

"Amerikanët që ndodhen aktualisht në Lindjen e Mesme duhet të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, si dhe të jenë të përgatitur për anulime fluturimesh, mbyllje të herëpershme të hapësirës ajrore dhe ndërprerje të mundshme të udhëtimeve”, thuhej në njoftimin e sigurisë të lëshuar të shtunën.

Burime të shumta i kanë thënë më parë "CBS Neës", se SHBA-ja dhe Izraeli po planifikonin atë që do të ishte një nga fushatatat më të ashpra të bombardimeve të kryera ndonjëherë kundër objektivave të infrastrukturës energjetike në Iran.

Plani u diskutua gjatë mbledhjes së kabinetit të Trumpit të premten, kanë thënë burimet për "CBS Neës".

Në postimin e tij, Trumpi ka shtuar më tej se SHBA-ja ishte "plotësisht e armatosur dhe gati për të vepruar kundër Republikës Islamike të Iranit, me nivele të tmerrit ushtarak, forcës dhe fuqisë që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore".

Ai ka thënë se anulimi i sulmit bëhej "për të mirën e së ardhmes së botës dhe, po ashtu, për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë".

Irani ende nuk i është përgjigjur njoftimit të Trumpit.

Irani e mohon se i kërkoi Trumpit të anulonte sulmet

1 muaj më parë / 2 gus 2026 13:59
shba-iran

Irani nuk ka dhënë asnjë shenjë se i ka kërkuar presidentit amerikan, Donald Trump, të anulonte sulmet e planifikuara ndaj vendit, pasi Trumpi deklaroi se i kishte anuluar ato, duke përmendur përparimin në bisedime.

Presidenti amerikan ka thënë se kishte pranuar kërkesat e Iranit dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme "për të pezulluar çdo sulm, meqenëse janë rënë dakord parimet bazë të një marrëveshjeje".

Por media shtetërore iraniane nuk ka dhënë asnjë indikacion se Irani kishte kërkuar anulimin e sulmeve, përkundrazi, ato pretenduan se Trumpi ishte tërhequr.

Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve të Arabisë Saudite ka njoftuar të dielën se Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Trumpin, gjatë së cilës ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme. Më herët, burime i kanë thënë edhe CNN-it se gjatë telefonatës, princi i kurorës kishte shprehur shqetësimin lidhur me planet për të goditur Iranin.

Nuk është raportuar për asnjë sulm, qoftë nga pala iraniane apo ajo amerikane, gjatë natës deri të dielën, pas njoftimit të Trumpit. Situata në rajon ka qenë relativisht më e qetë gjatë ditëve të fundit.

Ndonëse vazhdojnë të mbajnë qëndrim sfidues ndaj kërcënimeve amerikane, zyrtarët iranianë kanë pranuar ekzistencën e problemeve në rritje ekonomike dhe sociale pas pesë muajsh konflikti.

Papunësia në Iran është përkeqësuar që nga fillimi i konfliktit, ndërsa monedha e vendit ka rënë në nivele të reja minimale.

Princi saudit i ka kërkuar Trumpit uljen e tensioneve me Iranin

1 muaj më parë / 2 gus 2026 13:49
Princi dhe Trumpi

Photo: Associated Press

Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë së cilës i ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, ka njoftuar të dielën agjencia shtetërore e lajmeve e Arabisë Saudite. 

Më herët, burime i kanë thënë CNN-it se gjatë bisedës, Princi i Kurorës kishte shprehur shqetësimin lidhur me planet amerikane për të goditur Iranin.

Princi i Kurorës "theksoi nevojën për t'i dhënë përparësi dialogut me qëllim uljen e tensioneve, si dhe rëndësinë e bërjes së çdo përpjekjeje të mundshme për të arritur qetësi, e cila do t'i hapte rrugën zgjidhjeve diplomatike", ka njoftuar Agjencia Saudite e Lajmeve.

CNN ka raportuar se Trumpi kishte biseduar me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite të shtunën, sipas katër personave të njohur me çështjen dhe një burimi rajonal. 

Disa persona të informuar mbi situatën kanë thënë se, gjatë bisedës, Princi i Kurorës kishte ngritur shqetësime lidhur me planet për sulme të mundshme ndaj Iranit.

Ndërkohë, Trump i ka anuluar sulmet, duke përmendur përparimin në bisedime.