Botë

Trumpi i jep afat Iranit dy javë

Donald Trump

Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme kundrejt njëra-tjetrës për ditën e shtatë me radhë, teksa raketat iraniane kanë goditur një spital në qytetin jugor izraelit, Beersheba, duke lënë të plagosur dhjetëra persona. Me gjithë faktin që u deklarua se durimit të tij i ka ardhur fundi, presidenti amerikan, Donald Trump, përmes një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, i ka dhënë afat Republikës Islamike edhe dy javë të tjera, përpara se të vendosë përfundimisht për ndërhyrje ushtarake

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e ka kërcënuar përsëri liderin suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, pasi raketat e Iranit goditën një spital në pjesën jugore të Izraelit, si dhe goditën disa ndërtesa banimi në Tel-Aviv, duke plagosur të paktën 240 persona. Teksa ekipet e shpëtimit nxirrnin pacientët me karrocë nga spitali që po digjej, avionët ushtarakë të Izraelit lëshuan sulmet më të fundit mbi programin bërthamor të Republikës Islamike.

Katzi e ka fajësuar Khamenein për ngjarjet e së enjtes. Ai ka thënë se ushtria izraelite “është udhëzuar dhe e di se në mënyrë që t’i përmbushë të gjitha objektivat, ky njeri absolutisht duhet të pushojë së ekzistuari”.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar në mbrëmje se presidenti amerikan, Donald Trump, do të vendosë brenda dy javësh nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta sulmojnë Republikën Islamike të Iranit. Trumpi ka thënë se dëshiron që t’u japë hapësirë përpjekjeve diplomatike, para se të mbërrijë koha për të vendosur përfundimisht rreth ndërhyrjes ushtarake.

“Bazuar në faktin se ka shans të konsiderueshëm për negociata që mund të zhvillohen ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, do të vendos nëse do të hyjmë apo jo, brenda dy javëve të ardhshme”, ka thënë presidenti Trump, sipas komunikatës që u lexua nga sekretarja për media, Karoline Leavitt, nga Shtëpia e Bardhë.

Leavitt po ashtu ka thënë se një marrëveshje me Iranin duhet të përfshijë “mospasurimin me uranium”. Ajo ka përsëritur qëndrimet amerikane se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore.

E kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shprehur besimin se Trumpi do ta “bëjë atë që është më e mira për Amerikën”.

“Mund t’ju them se ata po na ndihmojnë shumë”, ka deklaruar Netanyahu nga rrënojat e Qendrës Mjekësore Soroka në qytetin jugor izraelit të Beershebas.

Zyrtarët amerikanë konfirmuan më herët gjatë javës se Trumpi e kishte penguar planin e Izraelit për ta vrarë Khamenein. Presidenti amerikan ka thënë se s’kishte ende plane për ta vrarë liderin suprem, “të paktën tani për tani”.

Shtetet e Bashkuara janë duke i peshuar përfitimet dhe kostot nga përfshirja në sulmet izraelite karshi bazës nukleare Fordow, e cila është e fshehur poshtë një mali dhe konsiderohet gjerësisht se është jashtë radarit të të gjithëve, përveç të bombarduesve amerikanë.

Konflikti ka filluar të premten e kaluar, me një valë befasuese sulmesh ajrore të Izraelit ndaj bazave bërthamore e ushtarake, komandantëve të lartë ushtarakë dhe shkencëtarëve bërthamorë të Iranit. Të paktën 639 persona kanë humbur jetën, përfshirë 263 civilë, në Iran dhe më shumë se 1,300 janë plagosur, bazuar në të dhënat e një organizate iraniane për të drejtat e njeriut me seli në Washington. Irani është kundërpërgjigjur duke lëshuar qindra raketa dhe dronë e duke lënë të vdekur të paktën 24 persona në Izrael e duke plagosur me qindra të tjerë.

Më shumë se 200 të plagosur, përfshirë dhjetëra nga sulmi në spital

Të paktën 240 persona u lënduan nga vala e fundit e sulmeve të Iranit në Izrael. Në mesin e tyre rreth 80 persona u plagosën nga sulmi mbi Qendrën Mjekësore Soroka. Shumica dërrmuese kishin lëndime të lehta. Pjesa më e madhe e ndërtesës së spitalit ishte evakuuar ditëve të fundit.

Komanda e Brendshme e Izraelit ka njoftuar se një nga raketat balistike iraniane të lëshuara të enjten në mëngjes ishte e mbushur me municione thërrmuese. Në vend të një koke luftarake konvencionale, raketa mbart dhjetëra nën-municione që mund të shpërthejnë në momentin e përplasjes, duke hedhur bomba të vogla rreth një zone të madhe gjeografike dhe duke paraqitur rreziqe të mëdha për sigurinë në tokë.

Në Ushtrinë izraelite nuk kanë thënë se nga ku ishte lëshuar raketa me kokën luftarake të municioneve thërrmuese.

Garda Revolucionare e Iranit ka këmbëngulur se nuk kishte kërkuar të godiste spitalin dhe po ashtu ka pretenduar se sulmi goditi një kompleks të inteligjencës ushtarake izraelite pranë parkut të teknologjive të avancuara, Gav-Yam Negev, rreth tre kilometra  larg spitalit. Një njësi elitare teknologjike e ushtrisë izraelite ka një degë të sajën pranë kësaj zone sipas faqes së internetit të parkut teknologjik.

Ushtria izraelite nuk iu përgjigj kërkesës për koment të agjencisë së lajmeve “Associated Press”. Një zyrtar ushtarak izraelit, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka theksuar se nuk ka pasur informacione specifike që Irani kishte planifikuar ta godiste spitalin.

Shumë spitale në Izrael, përfshirë Sorokan, kanë aktivizuar planet e emergjencës që nga java e kaluar. Ato i shndërruan garazhet nëntokësore të parkimit në reparte dhe zhvendosën pacientët në to, veçanërisht ata me ventilatorë ose ata me vështirësi për të lëvizur.

Izraeli ka gjithashtu një qendër transfuzioni të fortifikuar nëntokësore që u funksionalizua pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit 2023, i cili ndezi luftën në Rripin e Gazës.

Sulmi shkaktoi dëmet më të mëdha në një ndërtesë të vjetër kirurgjie dhe preku infrastrukturën kyç, duke përfshirë sistemet e gazit, ujit dhe ajrit të kondicionuar.

Në spitalin, i cili ofron shërbime për rreth 1 milion banorë të jugut të Izraelit, po trajtoheshin 700 pacientë në kohën e sulmit. Nga 80 të plagosurit lehtë në sulm gjysma ishin anëtarë të stafit të spitalit.

Më pastaj spitali u mbyll për të gjithë pacientët, përveç rasteve që ishin në rrezik për jetë.

Irani ka lëshuar qindra raketa dhe dronë në drejtim të Izraelit, megjithëse shumica janë rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Izraelit.

Irani refuzon të dorëzohet ose t’i japë fund programit bërthamor

Zyrtarët iranianë kanë pretenduar prej kohësh se programi bërthamor është krejtësisht për qëllime paqësore dhe civile. Sido që të jetë, përveç zotërimit të një impianti të energjisë bërthamore, Republika Islamike gjithashtu pasuron uraniumin deri në 60 për qind, një hap afër prodhimit të armëve bërthamore që kërkon nivele deri në 90 për qind. Irani është shteti i vetëm jobërthamor që e pasuron uraniumin në këto nivele.

Besohet gjerësisht se Izraeli posedon armë bërthamore – duke e bërë atë vendin e vetëm në Lindjen e Mesme që ka armë të këtilla – porse i mohon këto pretendime.

Të mërkurën lideri suprem iranian i pati refuzuar thirrjet e Shteteve të Bashkuara për t’u dorëzuar dhe paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake nga amerikanët do të shkaktonte “dëme të pariparueshme për ta”.

Deri më tani fushata ushtarake e Izraelit ka goditur impiantin bërthamor në Natanz, fabrikat e prodhimit të centrifugave përreth Teheranit, dhe një bazë bërthamore në Isfahan. Sulmet kanë lënë të vdekur po ashtu disa udhëheqës të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Aragchi, ka thënë se do të udhëtojë në Gjenevë për t’u takuar me homologët e tij nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, si dhe me diplomatë të lartë nga Bashkimi Evropian, duke shfaqur indikacione se një nismë e re diplomatike është në proces e sipër.

Trumpi ka thënë se ai dëshiron “diçka shumë më të madhe” sesa një marrëveshje e armëpushimit dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë që SHBA-ja t’i bashkohet fushatës ushtarake të Izraelit.

Irani pranon ta ridizajnojë reaktorin e Arakut

Në Ushtrinë izraelite kanë njoftuar të enjten se avionët luftarakë kishin shënjestruar reaktorin e ujit në Arak, rreth 250 kilometra në jugperëndim të Teheranit, për të parandaluar që ai të përdoret për prodhimin e plutoniumit.

Televizioni shtetëror iranian ka bërë të ditur se nuk ka “asnjë rrezik rrezatimi” rreth zonës së Arakut, e cila, sipas raportimeve, ishte evakuuar përpara sulmit.

Uji i rëndë në këtë zonë ndihmon në ftohjen e reaktorëve bërthamorë, por ka aftësi të prodhojë edhe plutonium, që mund të përdoret potencialisht për armë bërthamore. Kjo do t’ia ofronte Iranit një rrugë tjetër drejt bombës përveç uraniumit të pasuruar, nëse do të vendoste ta ndiqte këtë shteg.

Irani qe dakorduar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore që ta ridizajnonte objektin për të zbutur shqetësimet mbi përhapjen e armëve. Kjo s’u përfundua kurrë. Reaktori u kthye në pikë përplasjesh pasi Trumpi u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018.

Izraeli ka thënë se sulmet u kryen “për të parandaluar që reaktori të rikthehej në funksion dhe të përdorej për zhvillimin e armëve bërthamore”.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), organi mbikëqyrës i OKB-së për çështjet bërthamore, i ka bërë thirrje Izraelit të mos godasë objektet bërthamore të Iranit.

Inspektorët e AIEA-së raportohet se vizituan për herë të fundit Arakun më datë 14 maj.

Për shkak të kufizimeve që Irani i vendosi ndaj inspektorëve, AIEA ka thënë se më nuk ka njohuri për prodhimin e ujit të rëndë në Iran — që do të thotë se nuk mund të verifikojë plotësisht prodhimin dhe rezervat e Teheranit zyrtar.

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

SHBA-ja dy javë afat Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka miratuar planet për të sulmuar Iranin, por nuk ka marrë një...