Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është informuar nga inteligjenca amerikane për kërcënimet e Iranit për ta vrarë, ka thënë ekipi i fushatës së tij, shkruan BBC.
“Trumpi u informua në lidhje me kërcënimet reale dhe specifike nga Irani për ta vrarë në një përpjekje për ta destabilizuar dhe të shkaktojë kaos në SHBA”, thuhet në deklaratën e ekipit të fushatës së kandidatit republikan.
Deklarata nuk dha detaje mbi pretendimet dhe nuk ishte menjëherë e qartë nëse kërcënimet të cilave iu referua ishin të reja apo ishin raportuar më parë.
Qeveria iraniane nuk ka komentuar, por Teherani ka mohuar më parë pretendimet e SHBA-së për ndërhyrje në çështjet amerikane.
“Zyrtarët e inteligjencës kanë identifikuar se këto sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara janë shtuar në muajt e fundit. Zyrtarët e zbatimit të ligjit në të gjitha agjencitë po punojnë për të siguruar që presidenti Trump të mbrohet dhe zgjedhjet të jenë pa ndërhyrje”, ka thënë në deklaratë drejtori i komunikimit të fushatës Trump, Steven Cheung.
Trumpi i mbijetoi një atentati më 13 korrik, kur u plagos dhe një person tjetër u vra në të shtënat në një tubim në Pensilvani. Nuk dihet motivi.
Edhe
Trumpi mbledh sonte ekipin e sigurisë kombëtare lidhur me Iranin
Në ditët më pas, mediat amerikane raportuan se zyrtarët kishin marrë informacione për komplot të dyshuar iranian kundër ish-presidentit. Zyrtarët iranianë në atë kohë i hodhën poshtë akuzat.
Më pas, më 15 shtator, Shërbimi Sekret vuri re një person me pushkë që po kalonte afër fushës së golfit ku po luante Trumpi. I dyshuari u arrestua.
Nuk ka pasur asnjë sugjerim se Irani ishte i përfshirë në të dyja rastet.