Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur marrëveshje tregtare me Japoninë dhe Filipinet, në atë që po vlerësohet nga ekonomistët si një zhvillim i madh në luftën e tij tarifore.
“Unë sapo nënshkrova marrëveshjen më të madhe tregtare në histori, mbase marrëveshjen më të madhe ndonjëherë me Japoninë”, ka thënë Trumpi, nëpërmjet një videoje të xhiruar në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas tij, Tokio zyrtar do të investojë rreth 550 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara dhe do të paguajë tarifë reciproke prej 15 për qind, ka shkruar BBC.
“[Japonia] kishte zyrtarët e saj më të lartë këtu dhe punuam gjatë dhe me kujdes për këtë, dhe është një marrëveshje e shkëlqyer për të gjithë”, ka shtuar ai. “Unë gjithmonë them që duhet të jetë e mirë për të gjithë. Është një marrëveshje e shkëlqyer – shumë ndryshe nga marrëveshjet e mëparshme, mund t’ju them këtë”.
Kryeministri japonez, Shigeru Ishiba, ka konfirmuar se marrëveshja parasheh ulje të tarifave për importin e automjeteve nga 25 për qind në 15 për qind.
Mes tjerash, Trumpi ka njoftuar gjithashtu për marrëveshje tregtare me Filipinet, tek ka shfaqur indikacione se është afër që të pajtohet edhe me Indonezinë.
Njoftimet janë bërë përpara afatit të 1 gushtit, pas të cilit presidenti amerikan ka kërcënuar me rritje të këtyre tarifave.
E Shtëpia e Bardhë ende nuk ka publikuar ndonjë informacion ose detaj sa u përket marrëveshjeve respektive.