Teksa është edhe dy orë larg aterrimit në Anchorage për takim me presidentin rus Vladimir Putin, presidenti amerikan, Donald Trump, ka folur sërish për gazetarët gjatë fluturimit me “Air Force One”.
Ai ka thënë se dëshiron që të ketë marrëveshje armëpushimi sa më shpejt që të jetë e mundshme.
“Dua të shoh armëpushim shpejt. Nuk e di si do të rezultojë sot, por nuk do të jem i lumtur nëse nuk ndodh sot. Të gjithë kanë thënë se nuk mund të arrihet sot, por unë po them thjesht se dua të ndalen vrasjet”, ka thënë ai.
Trumpi ka thënë se nuk po vepron “si satelit” për evropianët.
“Kjo s’ka të bëjë me Evropën. Evropa nuk po më tregon se çfarë të bëj”, ka thënë ai. “Por ata do të jenë të përfshirë në proces sigurisht, me presidentin Zelensky”.
