Pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin të premten, presidenti amerikan, Donald Trump, u ka thënë liderëve evropianë se mbështet një plan që do t’i jepte fund luftës Ukrainë – Rusi duke i dorëzuar territor Rusisë, ka raportuar mediumi prestigjioz amerikan “New York Times” duke cituar dy zyrtarë të lartë evropianë.
Zyrtarët kanë thënë se Trumpi do ta diskutojë planin me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë të hënën. Sipas burimeve, edhe liderët evropianë janë ftuar të marrin pjesë në takim.
Raportimet për mbështetjen e Trumpit për dorëzim territoresh shënojnë ndryshim nga kërkesat paraprake të tij për armëpushim të menjëhershëm.
Sipas NYT, Trumpi beson që marrëveshja për paqe mund të negociohet për aq sa “Zelensky pranon t’ia japë Rusisë pjesën e mbetur të rajonit të Donbasit, madje edhe zonat e papushtuara nga trupat ruse”.
Sipas raportimit, zyrtarët e lartë kanë thënë se në këmbim të këtij propozimi, Putini ka ofruar armëpushim në të gjithë Ukrainën në vijën aktuale të frontit dhe një premtim të shkruar se s’do ta sulmojë Ukrainën apo ndonjë shtet tjetër evropian më.
Takimi treorësh i presidentëve amerikanë e rusë për paqe në Ukrainë ka përfunduar pa marrëveshje, të premten në mbrëmje. Presidenti amerikan, Donald Trump i ka quajtur “tejet produktive” bisedimet që i ka pasur me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë. E homologu i tij që pushtoi Ukrainën tre vjet më parë ka thënë se kanë arritur një dakordim me Trumpin. Përderisa asnjëri nuk ka dhënë detaje të tjera, të dy kanë paralajmëruar lëvizje të reja “në përpjekjen për paqe”.