Muaji i kaluar ishte shkurti më i nxehtë në botë në kohët moderne, ka thënë shërbimi i klimës i Bashkimit Evropian, për t’u bërë muaji i nëntë me radhë që regjistron këtë rekord, shkruan BBC të enjten.
Çdo muaj që nga qershori i vitit 2023 ka thyer rekorde për nxehtësi.
Sipërfaqja e detit në botë është më e nxehta e regjistruar ndonjëherë, ndërsa akulli i detit në Antarktidë ka arritur sërish në nivele ekstreme.
Temperaturat janë duke u rritur nga fenomeni El Niño në Paqësor, por ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu është deri tani nxitësi kryesor i të nxehtit.
“Gazet serrë që bllokojnë nxehtësinë janë pa mëdyshje fajtori kryesor”, thekson Celeste Saulo, sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike.
Përqendrimet e dioksidit të karbonit janë në nivelin më të lartë për të paktën dy milionë vjet, sipas organit klimatik të OKB-së, dhe janë rritur me nivele gati rekord përsëri gjatë vitit të kaluar.
EdheKëto ndihmuan që shkurti i vitit 2024 të bëhej rreth 1.77 gradë Celsius më i nxehtë se koha “para-industriale” - përpara se njerëzit të fillonin të digjnin sasi të mëdha lëndësh djegëse fosile - sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të BE-së, Copernicus.
Mesatarja 12-mujore tani qëndron në 1.56C mbi nivelet para-industriale.
Në vitin 2015 në Paris, gati 200 vende ranë dakord të përpiqen të mbajnë nxehtësinë nën 1.5 gradë Celsius, për të ndihmuar në shmangien e disa prej ndikimeve më të këqija klimatike.