Tre persona në një qytet francez vazhdojnë të jenë në "gjendje kritike, por të qëndrueshme" pas një sulmi të pazakontë nga bletët në fundjavë, i cili ka lënë 24 kalimtarë të lënduar, ka bërë të ditur të hënën kryebashkiaku i Aurillac.
Njëzet e katër persona kanë pësuar lëndime dhe tre janë dërguar me urgjencë në spital në gjendje kritike, kur qindra bletë sulmuan papritur njerëzit në qytetin qendror-jugor të dielën në mëngjes, raporton BBC.
Sipas mediave lokale, njëra prej viktimave ishte një grua 78-vjeçare e cila u pickua 25 herë dhe u desh të rikthehej në jetë pas një arresti kardiorespirator.
Policia dhe zjarrfikësit kanë rrethuar zonën teksa një bletar është thirrur për të tymosur bletët - një mënyrë e sigurt për të qetësuar insektet.
Një grua vendase e quajtur Andree ka thënë se kishte parë njerëz shumë të panikuar që përpiqeshin të largonin bletët.
"E kuptoja se po sulmoheshin nga diçka, por nuk mund ta kuptoja se çfarë ishte", u ka thënë ajo mediave franceze.
Kryebashkiaku i Aurillac, Pierre Mathonier, u raportua të ketë thënë se grerëzat aziatike që kërcënonin një koshere bletësh mund të kenë qenë katalizatori i sulmit.
Por Christian Carrier, presidenti i sindikatës rajonale të bletarëve, ishte skeptik.
Ai ka thënë për France Info se bletët në përgjithësi shmangin largimin nga kolonitë e tyre në prani të grerëzave aziatike.
Në vend të kësaj, ai ka thënë se incidenti i pazakontë mund të ketë qenë për shkak se kolonia e bletëve ishte bërë shumë e madhe për kosheren e saj dhe po ashtu ishte bërë "hiperaktive" kur bletari e kishte trajtuar atë.