Një tërmet i fuqishëm 7.5 ballë Rihter ka goditur në veri të Japonisë të hënën, duke lënduar mbi 20 persona dhe duke shkaktuar cunami në disa zona, kanë njoftuar autoritetet shtetërore transmeton agjencia “AP”.
Qeveria e Japonisë ka thënë se ende po vlerësohen dëmet e shkaktuara nga cunami dhe tërmeti, që goditi rreth orës 23:15 me kohë lokale në Oqeanin Paqësor rreth 80 kilometra nga Aomori, prefektura më veriore e Japonisë.
“Kurrë nuk kam përjetuar një dridhje kaq të fuqishme”, ka thënë Nobuo Yamada, pronar i një shitoreje në qytetin Hachinohe në prefekturën Aomori, për transmetuesin japonez NHK.
Cunami prej 70 centimetrave është shkaktuar në portin Kuji në prefekturën Iwate, që është në jug të Aomorit. Dhe nivele të cunamit deri në 50 centimetra kanë goditur komunitetet bregdetare në atë rajon, ka njoftuar Agjencia Meteorologjike e Japonisë.
Agjencia për Menaxhimin e Katastrofave ka njoftuar se 23 persona janë lënduar, përfshirë një seriozisht. Shumica e të lënduarve janë goditur nga objektet që rrëzoheshin.
Disa persona janë lënduar në një hotel në Hachinohe.
Fillimisht ishte raportuar se tërmeti ishte i shkallës 7.6 ballë Rihter, ndërsa u lëshua alarm se mund të arrihet cunami deri në 3 metra. Por, më vonë u ul niveli i paralajmërimit.