Një tërmet me magnitudë 7.1 shkallë të Rihterit ka goditur prefekturën jugore Kumamoto të Japonisë të martën, si pasojë e të cilit janë lënduar të paktën 50 persona dhe mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike, shkruan Reuters.
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi tha se numri i plotë e viktimave dhe shkalla e dëmeve nga tërmeti është ende duke u vlerësuar.
“Ne jemi informuar tashmë se ka të lënduar”, tha Takaichi. “Ndërprerje të energjisë elektrike dhe zjarre kanë ndodhur në disa zona, dhe ka pasur gjithashtu dëme në rrugë dhe ura si dhe shembje ndërtesash”.
Një spital ka raportuar për më shumë se 50 të lënduar, ka raportuar transmetuesi publik NHK. Disa persona në një tren me shpejtësi të lartë në kohën e tërmetit u lënduan gjithashtu, njoftoi gazeta Nikkei.
Disa ndërtesa u dëmtuan, përfshirë një qendër tregtare, e cila sipas NHK-së kishte pësuar një shpërthim, ndërsa pamjet e publikuara nga transmetuesi treguan gjithashtu ndërtesa të tjera në zjarr ose të shembura pjesërisht.
Çarje të mëdha u shfaqën në rrugët kryesore, përfshirë në një autostradë, dhe një tren mallrash doli nga shinat, sipas NHK, ndërsa u ndaluan shërbimet hekurudhore si dhe fluturimet u anuluan.
Më shumë se 150,000 njerëz janë udhëzuar të shkojnë në qendrat e evakuimit, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive.
Banorët në zonat që ndjenë dridhjet më të mëdha duhet të kenë kujdes nga tërmetet e mëtejshme të forta për rreth një javë, si dhe nga rreziku i rrëshqitjeve të dheut, tha një zyrtar i Agjencisë Meteorologjike të Japonisë.
Japonia është një nga vendet më të prirura ndaj tërmeteve në botë, me të paktën nga një dridhje në çdo 5 minuta. E vendosur përgjatë “Unazës së Zjarrit” të vullkaneve dhe llogoreve oqeanike që rrethojnë pjesërisht pellgun e Paqësorit, Japonia është vendi ku ndodhin rreth 20% e tërmeteve në botë me magnitudë 6.0 ose më shumë. Qeveria japoneze lëshoi paralajmërime emergjente për tërmet për prefekturat Kumamoto, Nagasaki, Kagoshima, Fukuoka, Saga, Oita dhe Miyazaki, të gjitha në ishullin jugor Kyushu të Japonisë.
Disa njerëz të bllokuar në një qendër tregtare pas tërmetit në Japoni
Një numër i madh njerëzish kanë mbetur të bllokuar brenda një qendre tregtare që është dëmtuar nga një tërmet i fuqishëm të martën në Japoninë jugperëndimore.
Në qytezën Kashima, "kati i dytë i një kompleksi tregtar është shembur, duke lënë shumë njerëz të bllokuar brenda", ka njoftuar departamenti lokal i zjarrfikësve.
Më herët, policia ka deklaruar se kishte marrë njoftime për atë që dukej si një shpërthim në qendrën tregtare "Aeon Mall" në rajonin e Kumamotos, por nuk ishte në gjendje të jepte informacione shtesë mbi dëmet apo viktimat e mundshme.
Këto njoftime vijnë pasi një tërmeti me magnitudë 7.1 goditi Japoninë jugore.
Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë (JMA), tërmeti e kishte epiqendrën në një thellësi prej 10 km dhe ka goditur prefekturën Kumamoto në orën 16:27 me kohën lokale.
Lëkundja ka arritur nivelin më të lartë të mundshëm, nivelin e shtatë, në shkallën japoneze të intensitetit sizmik "Shindo", ka bërë të ditur agjencia. Edhe pse fillimisht agjencia ka lëshuar një paralajmërim për cunami me valë prej një metri, më pas e ka tërhequr atë.
Në vitin 2016, Kumamoto është goditur nga dy tërmete shkatërruese, njëri me magnitudë 6.5 dhe tjetri me magnitudë 7.3 dy ditë më vonë, të cilët kanë shkaktuar vdekjen e 273 personave dhe plagosjen e mbi 2.800 të tjerëve.