Derisa Bush arriti të arratiset nga Kapitoli me stafin e saj në një ndërtesë të afërt, dhjetëra policë u përballën me turmën e dhunshme për orë të tëra. Më shumë se 100 oficerë mbeten të plagosur, dhe disa prej tyre me plagë të rënda.
Kongresistja Cori Bush, është mjaft e njohur për protesta. Ajo kaloi vite duke marshuar drejt rrugëve St. Louis dhe Ferguson në Missouri, dhe ky aktivizëm ndikoi në ngritjen e saj në pozitë.
Mirëpo, teksa demokratja e Missourit shikonte jashtë nga dritarja e Capitolit me 6 janar 2021, ajo e dinte se protesta e cila ishte gati të ndodhte, nuk do të ishte paqësore. Flamujt e Konfederatës në turmën e njerëzve dhe improvizimi i litarëve për varje të vendosur në sheshin e Capitolit, tregonin një realitet më të keq.
“Kam marrë pjesë dhe kam organizuar qindra protesta sa që nuk mund t’i numëroj. Unë e di se çfarë është një proteste. Kjo nuk është e tille.”, ka thënë Bush (e cila është me ngjyrë) në një intervistë për “The Associated Press”.
Kryengritja e shkaktuar nga përkrahësit e Trumpit dhe nga pjesëmarrësit e grupeve të djathta ekstremiste shkatërruan ndjenjën e sigurisë e cila ishte ndjerë më parë në Capitol derisa protestuesit po vononin me forcë certifikimin e fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale.
Mirëpo, për njerëzit me ngjyrë, duke përfshirë këtu edhe ata në Kongres, sulmi ishte më shumë se një nxitje e dhunshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme - ishte një shfaqje e frikshme e dhunës së njerëzve të racës së bardhë kundër atyre me ngjyrë, dhe kësaj here kjo ndodhi në vetë selinë e demokracisë amerikane.
“Para së gjithash, për mua si një grua me ngjyrë, kjo veçse është shumë më e vështirë nga ajo se çfarë një person i bardhë do të përjetonte,” tha Bush për imazhet rreth sulmit e veçanërisht për flamurin e Konfederatës i cili u fut brenda në Capitol nga një protestues. “Është veçanërisht ndryshe për njerëzit me ngjyrë për shkak të historisë sonë. Lloji i gjuhës dhe imazheve të tilla drejtohen drejt nesh në një mënyrë shumë negative dhe shpeshherë të dhunshme.”
Derisa Bush arriti të arratisej nga Capitoli me stafin e saj në një ndërtesë të afërt, dhjetëra policë u përballën me turmën e dhunshme për orë të tëra. Më shumë se 100 oficerë mbeten të plagosur, dhe disa prej tyre me plagë të rënda.
Sulmet raciste
Një grup i oficerëve në muajin korrik deklaruan në Kongres për dhunën fizike dhe verbale që ata kishin përjetuar nga përkrahësit e ish-presidentit Donald Trump. Harry Dunn, oficer me ngjyrë, kujtoi një moment që kishte pasur me protestuesit të cilët kundërshtuan se Bideni mposhti Trumpin.
Kur Dunn tha se ai kishte votuar Bidenin dhe se vota e tij duhet të numërohet, turma kishte filluar të thoshte shprehje raciste drejt tij.
“Një grua bërtiti: “E dëgjuat djem, ky zezak ka votuar Joe Biden”, tha Dunn i cili kishte shërbyer më shume se 12 vjet në forcën policore të Kapitolit.
“Pastaj e gjithë turma filloi të ulërinte” deklaroi ai. Ai shtoi se askush nuk e kishte quajtur atë ashtu derisa ishte në uniformë dhe më vonë atë natë ishte ulur në një dhomë të Kapitolit dhe kishte qarë.
Ndërkaq, derisa sulmi po përhapej në Capitol, një numër i vogël i deputetëve mbetën të bllokuar në dhomat e Parlamentit dhe Senatit, duke mos pasur mundësinë të arratiseshin kur protestuesit po luftonin të hynin brenda.
Heqja e karficave
Pas një të shtëne me armë zjarri që vrau Ashli Babbitt, e cila ishte një ndër protestueset që po tentonte të futej brenda përmes një dritareje të thyer, përfaqësuesi demokrat, Jason Crow, nga Kolorado mendoi se gjëja më e mirë që anëtarët mund të bënin ishte t’i hiqnin karficat e kongresit të cilat i dallonin ata si kongresistë.
Por, për deputetët me ngjyrë si përfaqësuesja e rajonit të Washingtonit Pramila Jaypal, heqja e karficës nuk ishte opsion.
“Mendoja se nuk ka mundësi ta heqë karficën time. Ishte mundësia që ose të identifikohesh nga kryengritësit ose nuk do të pranoheshe nga policia e Capitolit si një grua më ngjyrë,” tha Jaypal për “The Associated Press” në dhjetor.
“Shumica e anëtarëve me ngjyrë që unë i njoh, nuk e hoqën karficën e tyre”, shtoi ajo.
Përfaqësuesi i rajonit të Mississippit, Bennie Thompson, i cili ishte edhe kryetar i panelit që hetonte 6 janarin dhe njëri ndër anëtarët e bllokuar në Kapitol, tha se ajo ditë kishte sjellë në kujtesë eksperienca të pakëndshme të kohës kur ai kishte qenë politikan me ngjyrë në Mississippi.
“E kam parë urrejtjen në sytë e njerëzve që u futen në Kapitol. Ishte urrejtja e njëjtë që e kisha parë edhe të njerëzit të cilët donin të ndalonin votimin e njerëzve me ngjyrë në Mississippi,” tha Thompson.
Pas sulmit, Crow dhe deputetët e tjerë të bardhë konsideronin eksperiencat që kishin përjetuar kolegët e tyre me ngjyrë atë ditë. Crow i tha kolegut të tij demokrat, Val Demings, se gjatë asaj kohe ai nuk e kishte kuptuar se sa e vështirë kishte qenë për anëtarët me ngjyrë të fshiheshin nga turma e protestuesve.
“Jason më tha se ai si një mashkull i bardhë mund ta hiqte karficën e tij, ose edhe mund ta mbante atë dhe të qëndronte në anën tjetër me republikanët dhe njerëzit ndoshta as që do ta dallonin,” tha Demings.
Crow e quajti ndodhinë e asaj dite “një moment mësimi.”
“Vetëm atë ditë kur unë isha duke e përjetuar dhunën e të bardhëve në kombin tonë, e kuptova atë ndjenjë” tha ai.
Më në fund sulmi përfundoi dhe Kapitoli u sigurua. Protestuesit u lejuan të largoheshin paqësisht dhe deputetët shkuan në shtëpi. Imazhet që u shfaqën në internet dhe në televizion treguan stafin e kujdestarisë së Kapitolit, shumica prej tyre njerëz me ngjyrë, duke fshirë xhamat e thyer dhe duke pastruar muret.
Përfaqësuesi i rajonit të New Jersey-it, Andy Kim, iu bashkua atyre duke u ulur në gjunjë për të kapur shishet e ujit, rrobat, flamujt e Trumpit dhe të Amerikës. Si amerikani i parë aziatik që përfaqësoi New Jersey-n në Kongres, Kim reflektoi se si ai, një person me ngjyrë, po pastronte gjërat që njerëzit e bardhë, që kishin treguar simbole kundër njerëzve me ngjyrë si flamuri i Konfederates, kishin lënë pas gjatë përleshjes.
“Është kaq e vështirë, sepse ne nuk e shohim njëri-tjetrin si amerikanë fillimisht”, tha Kim për “The Associated Press” menjëherë pas sulmit.
Përktheu: Marigona Avdimetaj