Të paktën 170 protestues janë deklaruar fajtorë dhe më shumë se 70 janë dënuar. Një rast u largua dhe dy raste të tjera u mbyllën pasi personat e akuzuar vdiqën. Askush nuk është gjetur i pafajshëm.
Duke u përballur me burgim, shumë protestues të 6 janarit pranojnë se kishin gabuar që hynë në Capitolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mohuan dhunën politike, pavarësisht asaj që pretendon ish-presidenti Donald Trump duke përhapur gënjeshtra për sulmin.
Disa e fajësojnë Trumpin se i ka mashtruar dhe paralajmërojnë mbështetësit e Trumpit që të mos i besojnë atij. Të tjerët vazhdojnë të mbeten sfidues duke pretenduar se janë viktima të së ashtuquajturës 'kulturë të anulimit'.
Të paktën 170 protestues janë deklaruar fajtorë dhe më shumë se 70 janë dënuar. Një rast u largua dhe dy raste të tjera u mbyllën pasi personat e akuzuar vdiqën. Askush nuk është gjetur i pafajshëm.
Një mostër e asaj që të akuzuarit dhe avokatët e tyre kanë thënë në gjykatë:
“Pse hyra në ndërtesën e Capitolit? Nuk kam përgjigjen e duhur. E kam menduar një mijë herë dhe ende nuk jam i sigurt se pse nuk dallova atë që po ndodhte dhe nuk ndërmora veprime të tjera. Kanë qenë disa faktorë që kanë ndikuar tek unë atë ditë. Na thanë, 'të gjithë do të shkojnë në Capitol' dhe ' jini të qetë'.
“E gjithë përvoja ishte surreale. I besova presidentit dhe ky ishte një gabim i madh”, shkruan Leonard Gruppo nga Clovis i Nju Meksiko, në një letër drejtuar gjyqtarit përgjegjës për dënimin e tij. Gruppo, ushtar i Forcave Speciale në pension, u dënua me tre muaj arrest shtëpiak.
“Në media, si dhe nga vetë presidenti u bënë pretendime të rreme se sistemi zgjedhor ishte i korruptuar dhe se duhet vënë në pikëpyetje integriteti i zgjedhjeve. ... Z. Croy besoi atë që lexoi dhe dëgjoi nga vetë presidenti – se zgjedhjet ishin vjedhur.”- avokatja Kira Anne West, shkruan në një dosje gjyqësore për Glenn Wes Lee Croy, nga Kolorado Springs, Kolorado, e cila u dënua me tre muaj paraburgim në shtëpi.
“Kam marrë pjesë në disa komunikime për shtypin. Synimi im atë ditë ishte të mbështes, jo të shkaktoj telashe. Jam thellësisht i pikëlluar për ngjarjet që ndodhën atë ditë dhe jam shumë e penduar që do të jem përgjithmonë e lidhur me atë që ndodhi.” —Dona Sue Bissey, nga Bloomfield, Indiana, në një letër të shkruar me dorë. Asaj iu dhanë 14 ditë burgim.
“I vetmi plan që kisha ishte të shkoja në Shtëpinë e Bardhë për të dëgjuar fjalimin e presidentit Trump. Ai gjatë fjalimit të tij tha se do të shkonte në Capitol pasi të përfundonte dhe na kërkoi të ecnim me të. U largova më herët dhe u ktheva në dhomën time të hotelit sepse kisha ftohtë. Pasi u ktheva në dhomën time, pashë në lajme se njerëzit tashmë ishin në ndërtesën e Capitolit. Pasi kisha bërë një rrugë të gjatë për të marrë pjesë në këtë tubim, vendosa të shkoja.” - Valerie Elaine Ehrke, nga Arbuckle, Kaliforni, në një letër drejtuar gjykatës. Ehrke iu dhanë tre vjet lirim me kusht. Trump nuk shkoi kurrë në Capitol atë ditë.
“Ky vend ka një histori të gjatë të publikut që kërkon të ndëshkojë ata që mendojnë se kanë bërë keq në sytë e ‘tyre’. Një përqindje e konsiderueshme e popullsisë sonë do ta 'anulojë' zotin Hodgkins për shkak të gjykimit të tij të gabuar, duke hedhur gurë në drejtim të tij, ndërkohë që nuk i ka kuptuar kurrë plotësisht mospërfilljet dhe hipokrizinë e tyre."- avokati Patrick Leduc, shkruan në një dosje gjyqësore për Paul Allard Hodgkins, nga Tampa, Florida, i cili shkeli Senatin duke mbajtur një flamur të fushatës Trump. Hodgkins u dënua me tetë muaj burg.
“Ndërsa ndihem keq për hyrjen e paligjshme në Capitol më 6 janar, jo gjithçka që bëra atë ditë ishte e keqe. Disa veprime që bëra atë ditë ishin të mira. Unë erdha në Uashington për të protestuar për rezultatet e zgjedhjeve. Doja që zëri im të dëgjohej. Arma ime e vetme ishte zëri dhe celulari im.
"Unë besoj se Amerika është aktualisht në një ‘luftë informacioni’. Kjo e ashtuquajtur "luftë" është një luftë që nuk bëhet me armë, por me fjalë, ide dhe opinione.”-Jenna Ryan, nga Frisco, Teksas, në një letër drejtuar gjykatës. Ryan mori 60 ditë burg pasi postoi në internet se "Unë kam flokë bionde, lëkurë të bardhë, një punë dhe të ardhme të shkëlqyer dhe nuk do të shkoj në burg". Ajo i tha NBC News në një intervistë të botuar këtë javë se ajo ishte duke u fajësuar për gabimet e të tjerëve “si hebrenjtë në Gjermani”.
“Besimi im mbetet ende i njëjtë. Megjithatë, sistemi i qeverisjes, një republikë kushtetuese dhe proceset e vendosura për të vendosur se kush ulet në Zyrën prapa Tavolinës së Rezolutës tejkalon çdo kandidat apo parti. Transferimi paqësor i pushtetit dhe metoda për arritjen e tij janë të denjë për mbrojtje. Mesazhi im për kolegët konservatorë, ose çdo amerikan që kundërshton administratën aktuale, është se ne duhet të vazhdojmë punën tonë brenda kufijve të sistemit dhe të dënojmë veprimet e 6 janarit si mizore.” -Devlyn Thompson, nga Seattle, në një letër të shkruar me dorë. Thompson, i cili u deklarua fajtor për sulm ndaj një oficeri policie, mori gati katër vjet burgim.
Përktheu: Kaltrina Selimi