Zyrtarët iranianë kanë thënë të premten se dialogu me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi programin bërthamor të Teheranit zyrtar është tashmë “i pakuptimtë”, pas sulmit masiv ushtarak të Izraelit ndaj Republikës Islamike.
“Pala tjetër (SHBA-ja) është sjellur në një mënyrë që e ka bërë dialogun të pakuptimtë. Nuk mund të pretendosh se je i interesuar të negociosh dhe në të njëjtën kohë të lejosh regjimin zionist (Izraelin) të shënjestrojë territorin iranian”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei.
Ai ka thënë se Izraeli ishte i “suksesshëm në ndikimin” e procesit diplomatik dhe se sulmet izraelite nuk do të kishin ndodhur pa lejen e Washingtonit.
Më herët gjatë ditës së premte, Irani kishte akuzuar Shtetet e Bashkuara se kishin qenë bashkëfajtor në sulmet e Izraelit, porse Washingtoni zyrtar i mohoi akuzat dhe i bëri me dije Teheranit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do të ishte më “i mençur” që të negocionte mbi programin e tij bërthamor.
Rundi i gjashtë i bisedimeve bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit ishte planifikuar të mbahej të dielën në Muskat të Omanit, por mbetet e paqartë nëse do të zhvillohet pas sulmeve izraelite.
Irani mohon se programi i tij i pasurimit të uraniumit ka qëllime të tjera përveç atyre civile, duke hedhur poshtë akuzat e Izraelit se po zhvillon fshehurazi armë bërthamore.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se ai dhe ekipi i tij e kishin ditur që sulmet izraelite do të ndodhnin, por megjithatë ata ende e shihnin të mundur arritjen e një marrëveshjeje.
