Botë

Të paktën 40 palestinezë të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gazë

Gaze

Të paktën 40 palestinezë u vranë të premten nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Shumica e viktimave ndodheshin në qytetin e Gazës, ku shumë banorë vazhdojnë të qëndrojnë, pavarësisht urdhrave izraelite për evakuim, pasi nuk kanë ku të shkojnë.

Izraeli pretendon se ka për synim të marrë kontrollin e plotë të qytetit të shkatërruar të Gazës, ku rreth një milion njerëz janë strehuar. Si pjesë e planit për të shkatërruar grupin militant Hamas, Izraeli ka shtuar sulmet, sipas banorëve.

“Nuk kanë pushuar shpërthimet që nga dje”, tha Adel, një burrë 60-vjeçar me dy fëmijë, që jeton afër kampit të refugjatëve Beach. Ai nuk dha emrin e plotë për arsye sigurie.

Dëshmitarët thanë se të paktën 15 shtëpi në kampin Beach janë goditur nga sulmet ajrore.

Ushtria izraelite më pas i ka lajmëruar banorët e disa shtëpive të tjera për t’u thënë se do të goditen së shpejti.

Burime mjekësore thanë se 14 civilë u vranë nga një sulm i vetëm në një shtëpi në zonën Al-Tuwam, në veri të qytetit.

Disa sulme të tjera të rënda ndodhën edhe në jug të territorit, ku shumë njerëz janë larguar për të shpëtuar nga bombardimet.

Amjad Al-Shawa, drejtues i Rrjetit të OJQ-ve palestineze, i cili bashkëpunon me OKB-në dhe organizatat ndërkombëtare humanitare, tha për Reuters se rreth 10% e njerëzve në qytetin e Gazës janë larguar që kur Izraeli shpalli planin për ta marrë nën kontroll qytetin, para një muaji.