Botë

Të paktën 10 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës

gaza

Të paktën 10 palestinezë, prej tyre civilë që po prisnin për ndihmat humanitare, kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite përgjatë Rripit të Gazës të shtunën, kanë bërë të ditur në agjencinë për mbrojtjen civile të territorit.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, është shprehur për AFP-në se të paktën 6 persona janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur, pasi që trupat ushtarake izraelite shënjestruan civilët që po mblidheshin afër një pike të ndihmës në Gazë.

Këto zhvillime kanë ndodhur një ditë pasi kabineti i sigurisë në Izrael ka miratuar planet për të zgjeruar ofensivën ushtarake në enklavën palestineze, duke synuar kontrollin e plotë mbi qytetin e Gazës. 

Pavarësisht kritikave dhe raportimeve se përfaqësuesit më të lartë ushtarak s’ishin aspak të pajtimit me këtë plan, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur që vendimi të mos ndryshohet.

“Ne nuk do ta pushtojmë Gazën – ne do ta çlirojmë Gazën nga Hamasi. Gaza do të çarmatoset, dhe do të krijohet një administratë civile paqësore, e cila nuk do të jetë as Autoriteti Palestinez, as Hamasi dhe as ndonjë organizatë tjetër terroriste”, ka shkruar Netanyahu të premten vonë në rrjetin social X.

Kryeministri izraelit po përballet gjithnjë e më shumë me trysninë për të siguruar një marrëveshje të armëpushimit që do t’i shpëtonte mbi dy milionë banorët e territorit nga pragu i urisë dhe do të siguronte lirimin e pengjeve të mbajtura nga militantët e grupit Hamas.