Përfitimet sociale të një familjeje siriane në Vjenë shkaktuan debat në mesin e austriakëve. Fjala është për një familje të madhe që ka disa përfitime mujore sociale në shumën totale prej 6000 eurosh.
Familja përbëhet nga babai, nëna dhe tetë fëmijë dhe asnjëri prind nuk është i punësuar. Nga numri i përgjithshëm i atyre që marrin ndihmë sociale në kryeqytetin austriak, 62 për qind janë të huaj. Më herët për çështjen e përfitimeve sociale ka folur edhe ministrja e Integrimit, Susanne Raab, e cila është anëtare e Partisë Popullore Konservatore Austriake (OVP).
“Ne kemi nevojë për formë të përshtatshme imigrimi, që është hyrja në tregun e punës, jo në sistemin social. Për ta arritur këtë, ne duhet të vendosim periudhë pritjeje pesëvjeçare deri në marrjen e ndihmës së plotë sociale. Në këtë mënyrë, njerëzit do të inkurajohen të punojnë”, ka thënë ministrja Raab.
Gazetat austriake “Heute” dhe “Krone” janë ndër ato që raportuan për shumën e përfitimeve sociale të familjes siriane. Austriakët i kanë konsideruar të papranueshme shuma të tilla, duke bërë thirrje për rishikim të politikës sociale, të cilën e kanë quajtur si “shumë bujare”.
“Heute”, si gazetë me orientim konservator, e ka vënë në pikëpyetje shumën e përfitimeve sociale. Duke raportuar në mbështetje të qëndrimit se përfitimet sociale janë “shumë bujare”, “Heute” shkruan se një punëtor që vjen në Vjenë nuk i fiton 6000 euro neto në muaj. Për shembull, siç theksuan ata, parukierët fitojnë 1300 euro, ndërsa punëtorët e ndërtimit 2100 euro.
Ajo që është ende e diskutueshme është se shuma e përfitimeve sociale ndryshon ndjeshëm nga krahina federale në provincë federale. Qyteti-provinca e Vjenës, ku Partia Socialdemokrate (SPO) është në pushtet, kryeson në masën e përfitimeve sociale.