Hetuesit kanë identifikuar të dyshuarin si Espen Andersen Braathen, një 37-vjeçar që jetonte në Komunën e Kongsbergut, ku edhe kanë ndodhur sulmet gjatë së mërkurës vonë, që rezultuan me pesë të vdekur dhe disa të lënduar. Një zyrtar policie ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” se Braatheni ka pranuar vrasjet. Avokati i tij ka konfirmuar vetëm se sulmuesi po bashkëpunon me policinë dhe po jep deklaratë të detajuar
Sulmi me hark e shigjeta, në të cilin një danez i konvertuar në islam dyshohet se ka vrarë pesë persona në një qytet të Norvegjisë, duket të ketë qenë “akt i terrorit”, kanë bërë të ditur të enjten autoritetet e rendit në Norvegji.
Hetuesit kanë identifikuar të dyshuarin si Espen Andersen Braathen, një 37-vjeçar që jetonte në Komunën e Kongsbergut, ku dhe kanë ndodhur sulmet gjatë së mërkurës vonë.
Një zyrtar policie ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” se Braatheni ka pranuar vrasjet. Avokati i tij ka konfirmuar vetëm se sulmuesi po bashkëpunon me policinë dhe po jep deklaratë të detajuar.
Policia ka qenë e shqetësuar lidhur me sinjalet e radikalizimit të shfaqura nga i dyshuar qysh para sulmeve, të ndërmarra me një hark dhe shigjeta, si dhe armë të tjera, ka bërë të ditur për “Reutersin” një zyrtar policie.
Flamujt janë zbritur në gjysmështizë përgjatë Kongsbergut, pas vdekjes së katër grave dhe një burri, që të gjithë të moshave prej 50 deri në 70-vjeçare. Tre të tjerë, përfshirë një zyrtar policie jashtë detyre, kanë pësuar lëndime gjatë sulmit.
“Ngjarjet në Kongsberg aktualisht duket që të jenë pjesë e një akti të terrorit”, ka njoftuar policia e sigurisë PST nëpërmjet një deklarate, duke shtuar se hetimet për përcaktimin e motivit janë ende duke vazhduar.
Shefi i policisë rajonale, Ole Bredrup Saeverud, ka thënë se i dyshuari ishte konvertuar në fenë myslimane.
“Policia më herët ka qenë në kontakt me burrin, lidhur me shqetësimin rreth radikalizimit. Nuk kemi të regjistruar gjë lidhur me të më 2021, por më herët”, ka thënë Saeverud në një konferencë për media.
Kreu i policisë norvegjeze të sigurisë PST, Hans Sverre Sjoevold, ka thënë se Braatheni ka pasur historik të “pranimit dhe lëshimit” në institucione të shëndetit.
“Përcaktimi i faktit nëse sulmi ishte akt terrorizmi apo rezultat i një problemi psikik do të jetë qenësor, në fakt pjesa më e rëndësishme e hetimeve”, ka thënë ai për “Reutersin”.
Metoda e përdorur, ka thënë Sjoevold, është e ngjashme me ato të shumë sulmeve me motive politike të ndërmarra nëpër Evropë gjatë viteve të fundit.
“Përdorimi i thikave, vendeve publike... Policët nuk janë të pranishëm, andaj ata mund të ndërmarrin... sulm. Krejt kjo është një mënyrë bukur tipike e të vepruarit”, ka shtuara ai.
Menjëherë pas sulmit, Braathen është vënë në arrest dhe besohet se ka vepruar vetëm. Një gjykatë vendore do të vendosë të premten lidhur me kohëzgjatjen e arrestit të tij.
Ndërkaq, një i afërm i të dyshuarit, i cili ka folur nën kushtin e anonimitetit për të përditshmen daneze “Ekstra Bladet”, e ka përshkruar atë si person “mendërisht të sëmurë” dhe ka thënë se familja ka marrë kërcënime për vite me radhë.
Mediet norvegjeze kanë raportuar se i dyshuari ka qenë i dënuar më herët për plaçkitje dhe për posedim të drogës, ndërsa vitin e kaluar një gjykatë lokale e ka urdhëruar që të qëndrojë larg prindërve të tij për një periudhë kohore prej gjashtë muajsh, pasi që ai kishte kërcënuar që të vriste njërin prej tyre.
Bilanci i të vdekurve në sulmin e së mërkurës është më i larti në ndonjë sulm në Norvegji që nga viti 2011, kur ekstremisti i krahut të djathtë, Anders Behring Breivik, vrau 77 persona në një kamp rinor.